Gjatë ditës së sotme në mediumet amerikane, kryeministri Avdullah Hoti, dhe ish-kryeministri Albin Kurti, akuzuan njëri-tjetrin rreth zhvillimeve si prishja e koalicionit qeverisës në mes të VV-së dhe LDK-së dhe rreth krijimit të Qeverisë së re.
Hoti për Zërin e Amerikës ka thënë se ata kanë qenë të sinqertë por se ish-partneri i koalicionit LVV ka bërë veprime që nuk kanë qenë të pranueshme për ata.
“Tash unë besoj që këto janë më shumë retorikë, retorikë politike e opozitës e partisë që tash është në opozitë. Ne kemi qenë mjaft të sinqertë në atë koalicion, por ish partneri ynë i koalicionit nuk e ka respektuar marrëveshjen që kemi pasur si partner të koalicionit dhe sigurisht për LDK-në kanë qenë të papranueshme ato veprime dhe ka ardhur tek situata të cilën e kemi parë. Tash kemi një qeveri të re me mandat të plotë kushtetues për të çuar përpara dhe mbrojtur interesat e vendit”, ka thënë Hoti.
Ndërsa Kurti për Radio Evropën e Lirë deklaroi se Qeveria Hoti është qeveri e paligjshme, meqenëse është paraprirë nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese.
“Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në këtë mënyrë, kjo gjykatë, në vend se të jetë gjykata më e lartë në republikë, është gjykata kulmore e kapjes së shtetit”.
“Prandaj, nga ky aspekt, qeveria aktuale është qeveri e paligjshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm për ne”.
“Ndërkaq, në anën tjetër, kjo është sërish e paligjshme për shkak se u kontrabanduar në Kuvend nga presidenti. Pra, nuk është vullnet politik nga poshtë, as nga brenda kuvendit, por nga presidenti që ndodhet jashtë”, ka thënë Kurti.