Hoti dhe Komisioneri Varhelyi biseduan për zhvillimet politike dhe pandeminë Covid-19

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në një bisedë telefonike me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim z. Oliver Varhelyi, ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë Covid-19. 

Kryeministri Hoti e ka siguruar Varhelyi,  se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Hoti me këtë rast e ka falënderuar z. Varhelyi, edhe për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2.

Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës  kanë inicuar veprimet  e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime.

Kryeministri Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.

Kryeministri Hoti falënderoi  gatishmërinë e Institucioneve të Bashkimit Evropian, që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia Covid-19.