Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot një grup delegatësh, të cilët më 2 korrik 1990, në rrethana të jashtëzakonshme, miratuan Deklaratën Kushtetuese, e cila shënoi hapin e parë institucional në procesin e gjatë për pavarësinë e Kosovës.
Siç njofton kumtesa, me këtë rast, Kryeministri Hoti tha se kjo deklaratë qe moment kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.
“Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1999 do të kujtohet gjithmonë si akt që sublimon përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Bashkë me aktet e tjera që e pasuan atë, si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për pavarësi, kjo deklaratë shënon kthesën historike në përpjekjet tona të gjithanshme për liri në dekadën e fundit të shekullit XX”, tha kryeministri Hoti.
Në këtë ditë të rëndësishme – vijoi kryeministri Hoti – ne si qeveri e vendit u shprehim mirënjohjen tonë të gjithë delegatëve të Kuvendit të 2 Korrikut, të cilët, në koordinim me lëvizjen politike demokratike të asaj kohe, me vendimet e tyre të guximshme i hapën Kosovës rrugën e pakthyeshme të mëvetësisë dhe të integrimeve euroatlantike.
Ndërsa, në emër të delegatëve, të cilët shpallën Deklaratën e 2 Korrikut dhe miratuan Kushtetutën e 7 Shtatorit, foli z. Iljaz Ramajli, ish-kryetar i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, i cili e falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen, si dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës që kujdesi për delegatët e asaj kohe të ngrihet nga niveli i vullnetit politik, në obligim institucional dhe ligjor.