Hoti: Brenda pak javësh vijnë vaksinat kundër Covid-19

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në takimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid19 ka thënë se brenda pak javësh pritet të vijnë vaksinat antiCovid në Kosovë dhe të filloj vaksinimi masiv.

Hoti u shpreh se është i sigurt që do t’ia dalin mbanë dhe Kosova do t’i rikthehet normalitetit.

“Sot e them me kënaqësi që mbi 3 mijë persona testohen në Kosovë për Covid19 dhe askush nuk mbetet pa u testuar kushdo që ka nevojë. Jo gjithmonë kemi arritur t’i përmbahemi në përpikëri manualit të Ministrisë së Shëndetësisë për masat antiCOVID.

Falenderoj edhe Ministrinë e Arsimit që po përgatiten për një përmbyllje të sukseshme të këtij viti shkollor pa humbur asnjë orë mësimore.

Pandemia na ka shkaktuar probleme sociale dhe ekonomike gjerësisht. Asnjë aktivitet nuk është shtyrë apo anuluar për shkak të buxhetit. Qindra, mijëra qytetarë dhe bizenese kanë ndjerë dorën e shtetit gjatë kësaj periudhe. Gradualisht po kthehemi në normalizimin e ekonomisë.

Për disa javë ne presim arritjen e vaksinave që do të fillojmë vaksinimin masiv.

Informatat që morra dje nga ministri dhe drejtori  janë shumë inkurajuese për përgatitjen e procesit të vaksinimit”, tha ai.