Në Tiranë po bëhen homazhe në nderim të jetës së shkrimitarit shqiptar, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta më 1 korrik.
Arkivoli me trupin e pajetë të Kadaresë u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në kryeqytetin shqiptar.
Qytetarë të shumtë, në mesin e tyre bashkëpunëtorë të tij dhe personalitete të fushave të ndryshme, po marrin pjesë në homazhe.
Shkrimtari i ndjerë varroset sot në Varrezat e Tufinës në Tiranë.
Shqipëria ishte në zi kombëtare dje dhe sot, ndërsa Kosova sot.
Kadare vdiq në moshën 88-vjeçare si pasojë e një arresti kardio-respirator.
Veprat e tij u përkthyen në më shumë se 45 gjuhë të botës.
Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, ai i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.
Në vitin 1990 emigroi në Francë, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.
Kadare ishte fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, ndërsa vitin e kaluar Franca i dha titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.
Udhëheqës në Shqipëri dhe në Kosovë thanë se me vdekjen e Kadaresë, “shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave”, ndërsa “bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.