Një person i cili dyshohet të jetë me probleme mendore u ka shkaktuar probleme banorëve të lagjes “Ortakoll” në Prizren, duke hedhur gjësende nga ballkoni.
Si pasojë e kësaj situate të krijuar në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi i ka thënë Telegrafit se personi në fjalë nga hedhja e gjësendeve ka dëmtuar edhe disa automjete.
“I njëjti është ngujuar në banesën e tij dhe ka filluar që t’i kapë gjësendet dhe t’i hedhë nga ballkoni, me ç’rast dyshohet se i ka dëmtuar disa automjete”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se personi në fjalë është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
“Veprimet policore kanë qenë: është arritur të hapet dera e banesës dhe i njëjti është vënën nën kontroll, dhe është duke u shoqëruar për dhënien e ndihmës së shëndetit mental në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Nuk ka persona të lënduar e as personi në fjalë nuk ka lëndime”, tha Gashi.