Gjykata Kushtetuese njëzëri ka vendosur që Dekreti i presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër “është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës”, dhe ka konstatuar që “votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës”.
Ndërkaq, me shumicë votash ka vendosur që “Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës”.
Shtatë nga nëntë gjyqtarët kanë konsideruar se mos-saktësimi i afateve në Kushtetutë përkitazi me propozimin e kandidatit të parë për Kryeministër nga partia politike ose koalicioni fitues nuk nënkupton diskrecionin dhe të drejtën e këtyre të fundit për të mos vepruar në afat të pakufizuar kohor. Sipas tyre, “fryma e Kushtetutës” reflekton qëllimin e qartë dhe të vetëkuptueshëm të nevojës për veprime të shpejta, shkruan KOHA Ditore.
Një ekspert kushtetues i angazhuar në këtë gjykatë i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se Gjykata i është referuar një norme jorelevante për afatin, kur ka vendosur në këtë rast.
Ai ka theksuar se sa i përket nenit 82 të Kushtetutës, Aktgjykimi është korrekt dhe brenda parametrave profesionalë të kontrollit të kushtetutshmërisë së një akti juridik.
Por, ka këmbëngulur se kjo nuk është kështu me nenin 95, meqë ka theksuar se Gjykata në mënyrë arbitrare ka thënë se objekt i çështjes ka qenë neni 95.4 i Kushtetutës. Ai vetëm thekson se “nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”.
“Ky paragraf ka të bëjë me rastet kur mandatari dështon për të marrë votat në Kuvend dhe këtu fare nuk kemi pasur të bëjmë me dështim të z. Kurti në rundin e parë. Ky absurd është përdorur përmes përdorimit të situatës së krijuar nga neni 95.5 të Kushtetutës. Në vend se Gjykata të interpretojë Dekretin në dritën e këtij paragrafi, ajo e ka bërë këtë në dritën e paragrafit 4 të nenit 95”, ka thënë ky ekspert, i angazhuar në Kushtetuese. “Këtë e ka bërë për ta shpallur si kushtetues dekretin e Presidentit, sepse po ta kishte bërë siç duhet dhe siç kërkohet me nenin 95.5, atëherë do të ishte dashur të gjejë dekretin si jokushtetues”.
Për ta mbërritur këtë qëllim, Kushtetuesja është shërbyer me dokumente që u është kontestuar vërtetësia.