Hendeku gjinor i pagave në Kosovë

Për një kohë të gjatë Kosova ka qenë dhe vazhdon të konsiderohet ende si një shoqëri patriarkale. Kjo lidhet edhe me vet faktin se lufta për barazi gjinore ende shihet si luftë e grave dhe jo e mbarë shoqërisë. Historikisht, pozita e grave në punë ka qenë shumë më e pafavorshme në raport me atë të burrave, duke shtyrë kështu që gratë të punojnë punë më pak të qëndrueshme dhe rrjedhimisht duke nxitë edhe më shumë rritjen e hendekut gjinor. Studimet e shumta kanë treguar qartë diskriminimin në baza gjinore në Kosovë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosova përballet me një nga normat më të ulëta të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore, me vetëm 18%, duke u radhitur kështu me pozitën më të ulët në raport me vendet e tjera të Ballkanit. E normat e tilla të ulëta të papunësisë së grave janë treguesi më i mirë i një aktiviteti të ulët ekonomik.

Hendeku gjinor i pagave paraqitet si një ndër padrejtësitë më të mëdha të shoqërisë në ditët e sotme. Si shpjegim, sipas European Commision, “Hendeku gjinor i pagave i referohet diferencës midis nivelit mesatar të pagës të punonjësve meshkuj dhe femra”. Ky hendek llogaritet duke marrë totalin e fitimeve për një vit të burrave në raport me numrin e punëtorëve meshkuj dhe totalin e fitimeve për një vit të grave në raport me numrin e puntorëve femra. Kjo mënyrë e llogaritjes na jep të ardhurat mesatare vjetore për të dyja gjinitë.

Në Kosovë, studime të shumta janë bërë përsa i përket pabarazive në vendin e punës si dhe rolit të gruas në ekonomi ani pse deri më sot nuk është bërë ndonjë i tillë specifikisht për diferencën në paga. Sipas ASK-së, ndikimi i pandemisë COVID-19 në të dhënat e tregut të punës pritet të jetë më i theksuar në tremujorin e dytë të vitit 2020. Megjithatë, nëse nxjerrim të dhënat e pagave mesatare dhe pjesëmarrjes së fuqisë punëtore nga ASK për vitin 2019 dhe 2020, vërejmë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për tremujorin e parë të nxjerrë nga Anketa për Fuqinë Punëtore në Kosovë, kemi rritje të shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore me 0.1 %; (te meshkujt kemi rënie me 0.5%, përderisa te femrat kemi rritje me 0.8%). Megjithatë, pjesëmarrja në fuqinë punëtore e grave vazhdon dukshëm të mbetet shumë më e ulët në krahasim me atë të burrave: ku vetëm 20.3 % e grave ishin aktive në krahasim me 57.1 % e burrave.

Sipas të dhënave të ASK-së hendeku gjinor i pagave mesatare në Kosovë për vitin 2019 llogaritet të jetë diku rreth 3%. Mirëpo, kjo shifër nuk mund të mirret si e mirëqenë ngase janë vërejtur gabime në kalkulimin e pagës mesatare nga ana e ASK-së. Sipas Visar Vokrrit, ekspert i ekonomisë, nga Instituti “Riinvest”, paga mesatare bruto në vitin 2019 në Kosovë do të duhej të ishte rreth 470 euro, pra 132 euro më pak se ajo e raportuar nga ASK-ja, e cila është edhe institucioni kompetent për këto të dhëna. Në situata të tilla, në mungesë të të dhënave nga ASK, nëse analizojmë të dhënat e publikuara nga ‘Trusti’ vërejmë se mesatarja e kontributeve mujore nga gratë për vitin 2019 është 40.59€ ndërsa ajo e burrave 46.47€. Në shumicën e rasteve kontributet janë 10% e pagës bruto (5% të paguara nga punëdhënësi dhe 5% punëmarrësi). Sipas kësaj logjike, paga mesatare tek gratë del të jetë 405.9 euro ndërsa tek burrat 464.7 euro. Kjo nënkupton se diferenca në paga në Kosovë është diku rreth 15%; e që i bie se për çdo 1 euro që fiton një burrë, gratë fitojnë rreth 0.85 cent.

Sipas një studimi të realizuar nga MCC KOSOVO në vitin 2018, arsyet kryesore që shkaktojnë pjesëmarrje të ulët të grave në tregun e punës, përveç mungesës së vendeve të përshtatshme të punës, mungesës së kohës për trajnime, obligimeve dhe kujdesit ndaj familjes- ku në mesatare, meshkujt shpenzojë vetëm 2.3 orë për përkujdesje shtëpiake për dallim nga 7.1 orë sa shpenzojnë femrat janë edhe normat tona shoqërore dhe qëndrimi patriarkal brenda familjes, punës, shoqërisë dhe kujdesi për familjen që bëjnë që një grua në mesatare të shpenzojnë 400% më pak kohë në punë se sa burrat (përkatësisht 3.9 me 0.9 orë).

Hendeku gjinor ngërthen në vete një varg diskutimesh. Një pjesë e shoqërisë e konsiderojnë këtë çështje si çështje mitike, duke besuar se hendeku gjinor nuk ekziston në të vërtetë dhe se përdoret vetëm se për arritjen e qëllimeve të ndryshme politike. Megjithatë, literaturat e ndryshme në botë, na tregojnë se sa më shumë që arrin të mbyllet ky hendek i pagave, efikasiteti i ekonomisë do të rritet, i cili do të vërehej në shumë aspekte, nisur fillimisht me rritjen e numrit të grave në tregun e punës, e cila përcillet me rritjen e produktivitetit të përgjithshëm të grave, zhvillimit të aftësive si dhe rritjes së kapacitetit të tyre. Dihet se për t’u arritur potenciali i rritjes ekonomike nevojitët pjesëmarrje dhe rol aktiv sa më i madh i grave në ekonomi dhe fuqi punëtore, dhe kjo është pikërisht ajo çka po shfaqë vazhdimisht probleme në Kosovë- shkalla e ulët e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore, prej vetëm 18.1%, dhe përqindja domethënëse e grave që janë ekonomikisht joaktive: 81.9%, krahasuar me 43.3% të burrave.

Pandemia i ka efektuar të gjithë por jo të gjithë njësoj. Gratë dhe të rinjtë janë afektuar në nivel më të lartë përshkak se ata janë të pabarabartë qysh në fillim, edhe në kushte normale. Normalisht, që në situata të tilla pabarazia thellohet. Gjetjet e nxjerra nga studimi i realizuar nga Odat Ekonomike në periudhën 1-8 prill 2020 na tregojnë se kur bie theksi te ndikimi i Covid-19 në punësim, 29.2% e ndërmarrjeve kanë deklaruar se qysh në javën e tretë të krizës numri i të punësuarve është zvogëluar. Gjithashtu, ndërmarrjet e anketuara në këtë hulumtim kanë deklaruar se vetëm gjatë 2-3 javët e para të krizës janë detyruar të largojnë nga puna 2,948 të punësuar. Pandemia, me theks të veçantë i ka ndikuar gratë (sidomos nënat e reja). Ndërprerja e shkollave si pasojë e pandemisë, ka bërë që shumë nëna të detyrohen të ndërprejnë punën për shkak të përkujdesjes ndaj fëmijëve, duke ndikuar automatikisht në uljen e të hyrave në shtëpi. Nëse ky trend i largimit të fuqisë punëtore dhe efektimit të gruas vazhdon, atëherë si shtet duhet të përgatitemi për krizë edhe më të thellë ekonomike.

Tringë Shkodra

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Instituti-t Riinvest dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së”