Hekuran Murati u kërkon falje luftëtarëve të UÇK-së


Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar falje për publikimet që kishte bërë para disa vjetësh ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 2016, Murati duke komentuar ndarjen e pagesave për veteranët e luftës së UÇK-së ishte shprehur se “tre muaj lufte të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shtrejtë se një ushtri e rregullt”. “Bile edhe mercenarë me pas angazhu na kish dalë ma lirë – 3 muaj ka dy mijë euro bajnë 6 mijë euro për kry – 20 mijë mercenarë (të përgatitun ushtarakisht) kishin me na kushtue veç 120 milionë euro gjithsej. Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me ju thanë”, ishte shprehur ai atë kohë.

Postimet e tij bënë bujë së fundmi, ndërsa opozita kërkoi shkarkimin e tij. Madje Partia Socialdemokrate njoftoi të premten se më 6 korrik ka planifikuar protestë me kërkesë për largimin e Muratit.

Po në Facebook, Murati tash ka kërkuar falje ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre. Ministri ka thënë se i përulet sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së UÇK-së. “Ky është qëndrimi im”, ka shkruar ai.