Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje për shpërndarjen e mjeteve financiare nga pakoja e re për përballje me inflacionin.
Murati ka thënë se pakoja e re kap shifrën e 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke ia kaluar edhe Gjermanisë e cila ka shpërndarë 65 miliardë euro.
“Bashkë me Kryeministrin Kurti dje prezantuam pakon e re të masave për përballje me inflacionin, në kuadër të vazhdimësisë së Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, ka shkruar Murati.
“Pakoja kap vlerën prej 150 milionë euro, që përkthehet në rreth 2% të GDP, pa llogaritur pakon e muajit prill, apo masat paraprake”, shtoi ai.
Ministri i Financave kujtoi se Qeveria Gjermane sot ka prezantuar një pako masash të ngjashme në vlerë prej 65 miliardë euro, që përkthehet në rreth 1.8% të GDP.
Krahasimi i Ministrit të Financave
Për pensionerët:
Gjermania: 300 euro pagesë e njëhershme
Kosova: 3×100 euro (nentor ‘21, prill ‘22, tetor ‘22)
Për studentët:
Gjermania: 200 euro pagesë e njëhershme
Kosova: 2×100 euro (prill ‘22, nëntor ‘22)
Për punëtorët e sektorit publik:
Gjermania: 300 euro bruto pagesë e njëhershme
Kosova: 300 euro për 2022 (100 euro në prill ‘22, plus 50 euro/muaj nga shtatori ‘22)Lexo
Për punëtorët e sektorit privat:
Gjermania: 300 euro bruto pagesë e njëhershme
Kosova: 100 euro në prill ‘22, plus 3 muaj subvencionim 50% i rritjes së pagës.
Për fëmijët:
Gjermania: Rritje e shtesave ekzistuese
Kosova: Nisje e pagesës së shtesave për herë të parë
“Ka edhe shumë masa tjera që kemi ndërmarrë për ta bërë më të lehtë përballjen me inflacionin, siç janë vendosja e çmimit tavan për naftën, subvencionimi i energjisë elektrike, mbështetja e bizneseve prodhuese në investime, rritja e subvencioneve në bujqësi etj.”, ka përfunduar Murati.