Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe njëkohësisht nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një marrëveshje duke u përfshirë në dialog vetëm shtetet e Quintit, pa Kosovën.
“Mund të arrihet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku në dialog mund të përfshihen vetëm shtetet e Quintit dhe Serbia, pa Kosovën”, është shprehur Haziri.
Tutje Haziri tregoi se pas kësaj marrëveshje Serbia do ta heqë Kosovën nga preambula e saj, e madje edhe mund ta pranojë Kosovën si shtet.
“Pas kësaj marrëveshje, Serbia do ta heqë Kosovën nga preambula e vet, Serbia edhe mund ta pranojë Kosovën shtet”, shtoi Haziri.
Gjithashtu Haziri tha se Serbia po dëshiron të ketë një marrëveshje ku përfshihen territoret pasi asaj i konvenon një marrëveshje e tillë.
“Serbia ka një lloj kontrolli prej Ibrit e lartë. Po dëshiron të ketë marrëveshje të lumenjve e jo të kufijve. Serbia de fakto kontroll pjesërisht veriun dhe futja në biseda për territore do të sjellë kontrollin e saj edhe në pjesën juglindore të Kosovës. Serbia po dëshiron të zbresë prej Karadakut në Moravë”, thotë Haziri.
Haziri po ashtu thotë se marrëveshja nuk do të përmbyllet pa konsensus të partive dhe po ashtu se SHBA-ja është angazhuar maksimalisht në dialog.
“Tre të dërguar SHBA-ja i ka pasur në bisedime vetëm në kohën e luftës. Tani përsëris i ka tre. Ambasadori Kosnett, Mathew Palmer dhe ambasadori Grenell”
“Gjithashtu, BE-ja është futur në dialog fuqishëm dhe marrëveshja mund të arrihet shpejt. Lajcaku nuk është anti-kosovar. Ai është shumë i njohur më zhvillimet në Ballkan. Borrelli është politikan i formatit të Javier Solanës. Nuk e ka të njëjtën fuqi por në format janë politikanë të njëjtë”, shton Haziri.