Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se nënkryetarja tjetër e kësaj partie, Vjosa Osmani, në rolin e kryeparlamentares është dashur të tregohej neutrale në komentet e bëra në Gjykatën Kushtetuese në rastin për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për Avdullah Hotin kryeministër.
Në Interaktiv të KTV-së, Haziri ka thënë se komenti i saj është e drejtë kushtetuese, por “pjesa tjetër është shumë politike”.
“Lexova mbrëmë tekstin e kryetares së Kuvendit. Vjosa Osmani i është përgjigjur gjykatës si dhe në kapacitetet institucionale. Natyrshëm duke e njohur konsistencën politike si qëndrim edhe kundër mocionit dhe votim, kam pritur që kryetarja të ketë qëndrim neutral. Sidoqoftë vlerësim i saj është se si kryetare e Kuvendit duhet t’i përgjigjet institucionit kushtetues. Është e lidhur me të drejtën kushtetuese dhe ka reaguar në këtë kapacitet. Pjesa tjetër është më shumë politike, shumë politike bile”, ka thënë ai.
Tutje Haziri ka komentuar edhe “provat” për protesta nga grupi “mekryeministrin”. Ka thënë se të gjitha partitë duhet të pranojnë vendimin e Gjykatës, e se “demokracia e re e Kosovës nuk meriton të ketë shantazh politik”.
Osmani, sipas raportimeve, në komentet e saja kishte kërkuar që Kushtetuesja të konstatojë se Dekreti i Thaçit është në kundërshtim me Kushtetutën.