Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri tha se Kosova po vuan nga jo stabiliteti politik me asnjë qeveri që nga viti 2007 që nuk mbaron mandatin. Kritikon kryeministrin Albin Kurti derisa thotë se për shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, janë njoftuar me anë të një mesazhi telefonik.
“Një sms që i është dërguar kryetarit të LDK-së. Në momentin që e ka pa sms ka reaguar dhe ka thënë se është i papranueshëm. Por z.Kurti e ka bërë këtë akt të kryer”, theksoi Haziri në emisionin ‘Pressing’ në T7.
“Kurti ka vepruar njëanshëm ende pa vendos Kuvendi, ende pa folur deputetët, pa u deklaru partitë politike… Agimi edhe si ministër edhe si politikan flet rrallë dhe është i kujdesshëm… Vendimi i njëanshëm ka qenë me tendencë me lënduar LDK-në”, tha Haziri.
“LDK nuk e pranon shkeljen me dy këmbë, largimin e njeriut kryesor në qeveri. Ka qenë njëjtë si me shkarku Vjosa Osmanin ose Avdullah Hotin”, theksoi ai.
Ndërkohë Haziri ka treguar edhe për testimin e tij për koronavirus dhe rezultatin negativ.
“Me të thanë të drejtën pe quaj ballafaqim me koronavirusin. Jam kanë i bindur se nuk kam pasur kontakt me personin e infktuar. Kjo më ka dhënë njëfarë besimi që nuk jam i prekur. Por me qëllu në një ambient me të infktum normalisht që është shqetësim”, tha ai.
Ndërkohë, Haziri tha se ka filluar punën me kujdes të shtuar dhe po punojnë shumë që të mos lejojnë qarkullimin klandestin të qytetarëve nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, pasi në këto dy vende ka numër të lartë të të infektuarve me covid-19.