Vetëm edhe tri ditë kanë mbetur kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq do të takohen në Ohër.
E, tashmë është bërë publike edhe agjenda e takimit.
Ky takim është thënë se do të fokusohet në propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Front Online.
Lidhur me takimin e Ohrit dhe pritjet nga ky i fundit, për Front Online ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Sipas tij, në takimin e Ohrit do të flitet për miratimin e aneks-dokumentit për të arritur marrëveshje për ta quar dialogun përpara.
“Agjenda tashmë është publike, flitet për miratimin e aneks-dokumentit i cili do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes bazë dhe aneks- dokumenti përmban sekuencimin e marrëveshjes dhe arritjen apo dakordimi i një marrëveshje të palëve do të shkaktonte edhe një marrëveshje e cila e qon dialogun përpara. E, kundërta mund të stagnon dhe përpjekjet duhet të vazhdojnë për arritjen e asaj marrëveshjeje”, është shprehur Haziri për Front Online.
Nënkryetari Haziri, ka deklaruar se marrëveshja bazë ka prioritet statutin e Asociacionit dhe atë të Kishës Ortodokse.
“Aneks-dokumenti e parasheh edhe Asociacionin, pra kur flasim për aneks-dokumentin po flasim për ‘elefantin n’dhomë’, po flasim për çështjen kryesore për çka është bërë marrëveshja bazë e cila kryesore dhe prioritet të vetëm e ka statutin e Asociacionit, themelimi dhe implementimi i saj dhe nën dy e ka statusin e Kishës Ortodokse dhe këto janë çështje që aneks-dokumenti i ka pjesë të marrëveshjes bazë”, ka pohuar ai.
Haziri, ka thënë se marrëveshja ën Bruksel është pranuar nga të dyja palët dhe se këtu nuk ka dallime.
“Marrëveshja bazë në takimin e Brukselit është pranua prej të dyja palëve edhe Kosova edhe Serbia e ka pranua këtë propozim, kështu që nuk kemi dallime në këtë”, ka thënë ai për Front Online.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po pajtohet me planin franko-gjerman.
Madje kanë thënë se nuk do ta votojnë as në Kuvend.
Ata po kërkojnë që marrëveshja të jetë vetëm me njohje të ndërsjellë.
Më 27 shkurt në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq, u dakorduan që të mos ketë diskutime të mëtutjeshme për Propozimin evropian dhe është thënë se duhet vazhduar diskutimet për Aneksin e Implementimit.