Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se uikendi në Gjilan në përballje me COVID-19 ka qenë një betejë e ashpër, pasi kanë kanë humbur jetën dy gjilanas.
Këto komente, Haziri i bëri pas takimit me Komitetin për menaxhimin e përhapjes së COVID-19, të hënën, në një konferencë për gazetarë.
“Përmes QKMF-së dhe institucioneve tjera shëndetësore, jemi duke i menaxhuar mbi baza ditore 108 rastet aktive me COVID-19, ndërkaq në Spital të Përgjithshëm gjendja është më e qetë pasi kemi 16 raste në trajtim”.
Haziri ka njoftuar se janë prekur nga infeksioni dy shkolla, njëra publike dhe tjetra private.
“Në të dy rastet, një arsimtar është bartës i infeksionit. Ne jemi duke e bërë hulumtimin e fundit për këtë. Shkollat vazhdojnë të jenë të hapura dhe nuk ka vend për shqetësim. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit duhet të vazhdojnë t’i bartin maskat”.
Numri një i Gjilanit e ka përdorur një këshillë të majorit të KFOR-it italian, Cristian Benegiamo, i cili gjatë takimit të sotëm, ka thënë se “duhet t’i edukoni qytetarët që lufta me COVID-19 nuk fitohet në spital, por duke u kujdesur jashtë”.