Haziri: Kosova ka shumë potenciale për të zhvilluar fushën e aviacionit

Për herë të parë në Kosovës, po mbahet aktiviteti ‘Lipjani Aero Show 2024’. Afrim Haziri nga Federata Aeronautike e Kosovës, tha se në këtë aktivitet që po mbahet në Vojnovc, po marrin pjesë pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

“Ky është airshow i parë që po mbahet në Kosovë dhe kjo është një arritje e madhe për fushën e aviacionit sporti, duke mos harruar se kemi pasur rezultate të mëdha në garat ndërkombëtare”, tha ai në një intervistë për RTK. 

Ai bëri me dije se në ‘Aero Show 2024’, do të ketë prezantim të aeroplanëve, deltaplanëve dhe teknologjive të dronëve. 

“Do të ketë fluturime për të pranishmit mbi Lipjan, do të ketë parakalim të flotës ajrore mbi qytet, do të ketë fluturime dhe gara ekipore, trajnime dhe demonstrime nga ekspertët, panel diskutimesh me profesionistë të fushës etj”, theksoi ai.

Haziri kërkoi mbështetje institucionale për të pasur rezultat dhe sukses në këtë fushë të veçantë, ku do të ketë edhe mundësi të kemi zhvillim të fushës së aviacionit sportiv.

Ai tha se nga rezultatet mund të përfitojë edhe FSK. Sipas tij, zhvillim i aviacionit sportiv do të hap shtigje të reja për zhvillim të turizmit ajror. Haziri ka ftuar qytetarët do të marrin pjesë në këtë aktivitet.

Ndryshe aktiviteti ‘Lipjani Aero Show 2024’ organizohet nga Federata Aeronautike e Kosovës dhe Klubi Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit”, mbështetur nga Komuna e Lipjanit dhe Projekti për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim (SDC) dhe implementuar nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest.