Ish-ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka treguar se me cilat parti politike mund të formojnë koalicion në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo, në një intervistë ekskluzive për klankosova.tv, ka thënë se ish-Qeveria Kurti kishte punuar në të mirë dhe për interesat e kosovarëve.
Haxhiu ka deklaruar se Kosova ka një përfaqësim jo dinjitoz në dialogun me Serbinë duke thënë se më shumë ishte temë brenda këtij procesi se sa palë, njofton Klan Kosova.
“Kështu ndodhi edhe në Washington, më 4 shtator, ku Kosova dha krejt çka iu kërkua, duke filluar këtu me heqjen dorë fillimisht nga reciprociteti si element i shtetit e pastaj nga krejt shtetësia për 1 vjet, e tutje me ndarjen e Ujmanit, përfshirjen e Kosovës në projektin e Serbisë për zonën e Novi Sadit, garantimit dalje në detin Adriatik Serbisë, e deri te barazvlerësimi i të pagjeturve shqiptarë nga lufta me të shpërngulurit serbë nga paslufta. Në anën tjetër nuk morri asgjë çka duhej, ose çka kërkonte, pra njohjen nga Serbia. Për më tepër nuk ka marrë asgjë as nga çka iu ishte premtuar, pra investimet miliardshe e njohjen nga Izraeli. Përfundimisht, një dështim i madh politik e diplomatik”, ka thënë Haxhiu për klankosova.tv.
Sipas saj, LVV-ja do të punojë me administratën e Joe Biden, si dhe me Qeverinë e Izraelit.
Haxhiu, gjithashtu, ka deklaruar se ish-Qeverinë Hoti nuk e ka marrë askush seriozisht, duke thënë se “doli që kjo qeveri nuk ka ekzistuar fare”.
“Juridikisht ajo ka qenë inekzistente, sepse është formuar në mënyrë jokushtetuese. Pra, ne kemi humbur gjashtë muaj kot, me një qeveri koti, në kohë kritike e me kriza të shumëfishta. Prandaj, zgjedhjet duhet të mbahen në datën më të hershme të mundshme, ashtu që sa më parë të kemi një qeveri të re, me legjitimitet dhe të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti si kryeministër i saj”.
INTERVISTA E PLOTË:
Cilat janë punët që i veçoni më së shumti në Qeverinë Kurti?
Albulena Haxhiu: Pavarësisht kohës së shkurtër në qeverisje, ne kemi arritur të dëshmojmë para qytetarëve që Kosova mund të ketë qeveri të mirë dhe që punon për interesat e qytetarëve.
Përbrenda periudhës sa kemi qeverisur, ne kemi qenë të përkushtuar në jetësimin e programit tonë qeverisës dhe kthimin e dinjitetit vendit dhe qytetarëve, pavarësisht pengesave të qëllimshme që na kanë dalë rrugës.
Duke filluar që nga kryeministri dhe secili ministër kanë punuar pa ndalur për këtë qëllim. Në mesin e punëve që do të veçoja është padyshim menaxhimi me pandeminë për çka kemi qenë të veçuar si vendi shembull për vendimet e duhura, luftimi i krimit të organizuar dhe çkapjen e bordeve me qëllim të zhvillimit të ndërmarrjeve publike për çka Qeveria jonë ishte vlerësuar si nga Departamenti i Shtetit Amerikan po ashtu edhe nga raporti i Bashkimit Evropian, kthimin e ligjshmërisë në MPJD, nisjen e procesit të Vettingut, veprimet për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Si e shihni punën e Qeverisë Hoti sa i përket menaxhimit të pandemisë?
Albulena Haxhiu: Nga 3 qershori e tutje nuk ka pasur menaxhim të pandemisë. Ka pasur keqmenaxhim skandaloz të saj. Qeverisë, para së gjithash, i ka munguar ndjeshmëria ndaj pandemisë. Po të kishin vetëm edhe një gram ndjeshmëri për rrezikun që ajo paraqet për shëndetin publik, të njëjtit nuk do të kishin votuar rrëzimin e Qeverisë Kurti që po e menaxhonte në mënyrë shembullore, dhe atë në kohën kur shumë pak dihej për virusin. Pra, këta që pretenduan që po qeverisnin për këta gjashtë muajt e fundit që në ditën e parë e kishin humbur partneritetin me qytetarët pa të cilët menaxhimi bëhet i pamundur. Me çfarë legjitimiteti dilnin herë [Avdullah] Hoti e herë [Armend] Zemaj para qytetarëve për të kërkuar respektim të masave dhe për të bërë thirrje për kujdes? Kur të njëjtit ishin të papërgjegjshëm ndaj shëndetit të tyre në momentin kur punonin kundër qeverisë së mirë që qytetarët e kishin zgjedhur më 6 tetor.
Pastaj, vendimet e marra kanë qenë krejtësisht në disproporcion me situatën epidemiologjike, të vonshme, të atypëratyshme dhe pa një rrjedhë logjike. Për shembull, numrat e të infektuarve rriteshin shumëfish dita-ditës, kurse qeveria merrte masa lehtësuese. Ne e kemi pasur të qartë që pandemia menaxhohet suksesshëm, sidomos në rastin e Kosovës, duke marrë vendime të hershme dhe të përshtatshme me situatën me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit dhe shmangien e mbingarkimit të sistemit tonë shëndetësor veçse të brishtë. Këta e bënë të kundërtën. Si rezultat, Kosova në një moment ishte e para në botë për nga numri i vdekjeve për 1 milion banorë, ndërsa sot shënon mbi 1300 viktima dhe mbi 40.000 të infektuar.
Diskutimi se si e ka menaxhuar kjo qeveri pandeminë ka përfunduar. Fatkeqësisht për qytetarët, ajo ka dështuar. Ngjashëm sikurse edhe në rastin e trajtimit të ekonomisë, paradoksalisht nga ata që krekosen më së shumti se kanë ekspertizë të fushës. Pra, gjatë kohës sa këta pretendonin se ishin qeveri, meqë u dëshmua që nuk ishin sipas Gjykatës Kushtetuese, ata nga një qeveri koti u shndërruan në një qeveri morti për qytetarët dhe bankroti për ekonomitë familjare dhe bizneset.
A është punuar mjaftueshëm nga pala kosovare në dialogun me Serbinë?
Albulena Haxhiu: Kjo qeveri, që në fakt doli që nuk ka ekzistuar fare, si ajo e Haradinajt ashtu edhe ato të Thaçit e Mustafës, kanë pasur qasje të dëmshme në dialog dhe tejet të papërgjegjshme në raport me interesat e vendit. Ngjashëm edhe kjo e fundit, pa legjitimitet, pa pikë kredibiliteti dhe e varur nga votat e Listës Serbe ishte totalisht e papërgatitur për një proces të cilin ajo e konsideronte me prioritet të lartë. Paradoksalisht, nuk kishte as plan, as planifikim, as platformë e as mbështetje brenda për brenda koalicionit qeverisës, e lëre më më gjerë për dialogun. Pashmangshëm dhe siç edhe lehtë parashikohej Kosova, për shkak të këtij përfaqësimi jodinjitoz, me individë pa legjitimitet dhe kredibilitet, u bë më shumë temë e dialogut sesa palë.
Kështu ndodhi edhe në Washington, më 4 shtator, ku Kosova dha krejt çka iu kërkua, duke filluar këtu me heqjen dorë fillimisht nga reciprociteti si element i shtetit e pastaj nga krejt shtetësia për 1 vjet, e tutje me ndarjen e Ujmanit, përfshirjen e Kosovës në projektin e Serbisë për zonën e Novi Sadit, garantimit dalje në detin Adriatik Serbisë, e deri te barazvlerësimi i të pagjeturve shqiptarë nga lufta me të shpërngulurit serbë nga paslufta. Në anën tjetër nuk morri asgjë çka duhej, ose çka kërkonte, pra njohjen nga Serbia.
Për më tepër nuk ka marrë asgjë as nga çka iu ishte premtuar, pra investimet miliardshe e njohjen nga Izraeli. Përfundimisht, një dështim i madh politik e diplomatik. E megjithatë, 4 shtatori na konfirmoi edhe një herë paaftësinë e kësaj qeverie dhe të atyre që na kanë përfaqësuar deri më tani për ta mbrojtur dhe avancuar Republikën. Është lajm shumë i mirë që kjo qeveri edhe përfundimisht u shpall e jashtëligjshme, sikurse thoshim ne, dhe është lajm edhe më i mirë që qeveria e ardhshme e vendit do të jetë qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sa është e vlefshme Marrëveshja e Washingtonit, tani pas vendimit të Kushtetueses për Qeverinë dhe a duhet të zbatohet kjo marrëveshje, sipas juve?
Albulena Haxhiu: Ajo nuk është as marrëveshje në kuptim juridik të saj. Po të ishte ashtu, ajo do të duhej të ratifikohej në Kuvend. E po të dërgohej në Kuvend, ne jemi të bindur që nuk do të kalonte. Pra, ajo nuk është as marrëveshje e as historike për Kosovën. Sipas matjeve të fundit të opinionit publik të realizuara nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, ngjarja e Washingtonit, përkatësisht dokumenti i saj ka aprovimin e vetëm 1 % të popullatës. Llogariteni! Ajo do të mbetet vetëm një dokument zotimesh të njëanshme nga një qeveri jokushtetuese, prodhim i një procesi negociator të pabalancuar e i dizajnuar për efekte elektorale në garën e atëhershme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lëvizja Vetëvendosje, sapo të rikthehet në qeveri, do të vendosë kontakte të ngushta me administratën e presidentit të zgjedhur Joe Biden duke i ofruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës partneritetit të dobishëm në rajon. Nuk ka asnjë diskutim se Administrata Biden është prej administratave më të favorshme për Republikën e Kosovës dhe vjen në një moment shumë kritik. E Lëvizja Vetëvendosje është rreshtuar pas saj që në kohën e zgjedhjeve në Amerikë duke qenë se ashtu ka përkuar me interesin tonë kombëtar. Ngjashëm do të veprojmë edhe me Qeverinë e Izraelit me të cilën do të konfirmojmë gatishmërinë tonë për të vendosur marrëdhënie diplomatike në mes dy vendeve si synim biletaral.
Sa keni mundur ta bëni opozitarizmin pas qershorit, kur në Kuvend nuk i keni pasur disa prej fytyrave kryesore të partisë?
Albulena Haxhiu: Së pari, unë mendoj që Grupi jonë Parlamentar në Kuvend ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke e përfaqësuar në formën më të mirë të mundshme Lëvizjen Vetëvendosje. Opozitarizmi ndaj kësaj qeverie nuk ka qenë sfidë për shkak se disa nga figurat tona më seniore nuk kanë qenë në Kuvend. Sfidë ka qenë raporti jonë si subjekt opozitar në Kuvend, pavarësisht se më i madhi në vend dhe me përkrahjen të më shumë se gjysmës së qytetarëve, me një qeveri pa legjitimitet, të kontrabanduar në Kuvend dhe të jashtëligjshme.
Pra, një situatë krejt e pazakontë ku subjekti më i madh politik ishte opozitë parlamentare, e që përballë kishte qeverinë më të dobët ndonjëherë. Opozitarizmi ka kuptim e zhvillohet atëherë kur përmes tij synohet që t’i dëshmohet qytetarëve se qeveria është e dobët dhe e paaftë dhe se duhet të zëvendësohet me opozitën aktuale në zgjedhjet e ardhshme. Si mund t’i bësh opozitë qeverisë me të cilën 75% të qytetarëve kanë qenë të pakënaqur?! Këtë qeveri askush për asnjë minutë nuk e ka marrë seriozisht dhe me të drejtë është trajtuar ashtu, sepse në fund doli që nuk ka ekzistuar fare. Juridikisht ajo ka qenë inekzistente, sepse është formuar në mënyrë jokushtetuese. Pra, ne kemi humbur gjashtë muaj kot me një qeveri koti, në kohë kritike e me kriza të shumëfishta. Prandaj, zgjedhjet duhet të mbahen në datën më të hershme të mundshme, ashtu që sa më parë të kemi një qeveri të re, me legjitimitet dhe të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti si Kryeministër i saj.
Në rast se Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut nuk do t’iu lejohet pjesëmarrja në zgjedhje për shkak të dënimit, a mendoni se do të kishte ndikim në elektorat kjo?
Albulena Haxhiu: Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet që do të mbahen në fillimvit është e pashmangshme. Hilet e pengesat potenciale deri atëherë vetëm sa e rrisin Lëvizjen dhe sa do ta thellojnë fitoren. Këtë e kemi dëshmi nga e kaluara. Ne e kemi parë që mbështetja për Lëvizjen është dyfishuar pikërisht atëherë kur ky klub i stërvjetëruar politik i vendosi kleçkën Qeverisë Kurti në momentet më kritike për qytetarët e vendit. Kujtimi është shumë i freskët. Qytetarët e kanë ndarë mendjen. Ky është përcaktim i tyre. Tash është përgjegjësi e jona që t’i përgjigjemi me punë e besnikëri atyre.
Në zgjedhjet e ardhshme me cilat parti politike keni vija të kuqe për koalicion?
Albulena Haxhiu: Lëvizja Vetëvendosje tashmë është subjekti më i madh në vend, jo vetëm sepse është e para në raport me subjektet tjera, siç ka qenë edhe në dy palë zgjedhjet e fundit, por sepse kësaj here është shumë më përpara se të gjitha subjektet tjera. Koalicionet në anën tjetër bëhen ose që të fitohet gara elektorale, ose që pas zgjedhjeve të mund të formohet një shumicë parlamentare që pastaj formon qeverinë. Në këto zgjedhje, as njëra e as tjetra nuk do të jetë të diskutueshme. Lëvizja Vetëvendosje do të dalë edhe e para, por edhe do të jetë shumicë parlamentare për ta formuar qeverinë. Në këtë drejtim, Lëvizja mund të bashkëpunojë me forca politike për të cilat ka preferencë të hapur, sikurse me zonjën [Vjosa] Osmani. Për subjektet e klubit të stërvjetëruar politik as që bëhet fjalë në diskutimet tona. Në fund të fundit, ky është edhe verdikti i qytetarëve për ta.