Haxhiu: Prokuroria Speciale më tha se janë 800-900 raste të krimeve të luftës

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin Desku në KTV ka deklaruar se Prokuroria Speciale i ka thënë se janë 800-900 raste të krimeve të luftës.

Megjithatë, ajo thotë se ka një kontradiktë ndërmjet Këshillit Prokurorial dhe Prokurorisë Speciale.

“Është e pamundshme që vetëm tre prokurorë të merren me rastet e krimeve të luftës. Ka pasur një kontradiktë nga Këshilli Prokurorial dhe Prokuroria Speciale sepse në pyetjen time se sa raste të krimeve të luftës keni? Sepse ne e dimë se sa qindra, mijëra raste kanë deponuar vet shoqatat, familjet e të vrarëve në luftë. Tash së voni kemi vetëm një rast që po ndiqet penalisht për dhunimin seksual, a në fakt sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare kemi afër 20 mijë persona që janë dhunuar gjatë luftës. Emrat dhe mbiemrat e kriminelëve dihen”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka treguar se ekziston një diferencë e madhe ndërmjet asaj çfarë thotë Prokuroria Speciale.

“Prokuroria Speciale ka thënë se i ka afër 800-900 raste të krimeve të luftës, ndërsa Këshilli Prokurorial thotë se janë 200 apo 300. Tash isha duke pritur si ministre e Drejtësisë që të më vjen një plan konkret për numrin e prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesionalë, për numrin e ekspertëve. Sepse Prokuroria Speciale theksonte që ne nuk jemi në dijeni për hierarkinë, gjegjësisht përgjegjësitë komanduese gjatë kohës së luftës. Pra, kanë nevojë për një ekspert ushtarak. Sot, 20 vjet pas luftës, nuk ia kanë plotësuar një kërkesë të tillë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se ka qenë duke pritur për kërkesën e Prokurorisë Speciale në raport me nevojat që i kanë për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.

“Ne e dimë që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e krimeve të luftës, por është gjykimi në mungesë që poashtu Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar”, ka thënë ajo.