Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është përgjigjur ftesës për të dëshmuar në rastin e Astrit Deharit.
Pas dëshmisë në Gjykatë, ministrja ka ftuar gazetarët në konferencë për media ku ka akuzuar sistemin e drejtësisë se nuk po e kryejnë siç duhet punën e tyre.
Haxhiu ka kritikuar ashpër prokurorin e rastit duke thënë se e ka ftuar atë të dëshmojë pas një statusi në rrjetet e saj sociale.-Advertisement-
“Kjo konferencë vjen si shkak i ftesës që më është bërë nga prokurori special për të dëshmuar në raport me rastin Dehari pas një statusi në 7 vjetorin e vrasjes së Astrit Deharit. Në cilësinë e ministres së Drejtësisë kam obligimin e plotë që të angazhohem për drejtësi dhe kam obligim moral e qytetar për tu interesuar për vrasjen e një qytetari aktivisti politik në duart e shtetit, sikurse edhe të flas për mosveprimet nga ata që kanë veshur petkun e prokurorit apo kujtdo tjetër. Prokurori special siç jeni në dijeni reagoi me shpejtësi ndaj deklaratës time. Por nuk ishte hera e parë që unë kam thënë diçka të tille publikisht, dhe për këtë ju jeni dëshmitar sepse të gjitha deklarimet e mia i kam bërë ose tek ju apo në rrjete sociale pra në vazhdimësi publike. Parashtrohet pyetja se pse reagoi tash, pse jo më herët dhe po ashtu a ka reaguar njëjte prokurori special ndaj deklaratave të zyrtarit të shtetit që kishin thënë se Astrit Dehari është vetëvrare apo a ka reaguar aq shpejtë ndaj veprimeve të kundërligjshme të zyrtarëve përgjegjës në rastin Dehari”, ka thënë Haxhiu në një konferencën për media.
Fjala e plotë e ministres Haxhiu, në konferencë për media:
Të nderuara media,
Faleminderit për interesimin rreth situatës së fundit që vjen si shkak i ftesës për të dhënë dëshminë time nga Prokurori i rastit Dehari.
Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, kam obligimin e plotë që të angazhohem për drejtësi, dhe kam obligimin moral e qytetar për t’u interesuar për vrasjen e një aktivisti politik në duart e shtetit sikurse të flas për mosveprimet nga ata që kanë të veshur petkun e prokurorit apo kujtdo tjetër.
Prokurori Special, siç jeni në dijeni, reagoi me shpejtësi ndaj deklaratës time. Por nuk ishte hera e parë që unë kam thënë diçka të tillë publikisht. Dhe për këtë ju jeni dëshmitarë.
Por, shtrohet pyetja se pse reaguan tani? Pse jo më herët?
E po ashtu a ka reaguar njësoj Prokurori Special, ndaj deklaratave të zyrtarëve të shtetit që kishin thënë që Astrit Dehari është vetëvrarë?
Apo, a ka reaguar po aq shpejtë ndaj veprimeve të kundërligjshme të zyrtarëve përgjegjës?
Një sërë epizodash janë zhvilluar gjatë gjithë këtyre 7 viteve, por Prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell ndaj reagimeve, apo për hetimet që është thirrur t’i zhvillojë.
Nëse tani për tani nuk mund të dihen se kush kanë qenë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët atëherë Prokurori është dashur të merret me personat që nuk e kanë kryer detyrën sipas përgjegjësisë në mënyrë që të mbërrijë tek e vërteta. Sepse mund të ketë një arsye që ata kanë bërë veprime të kundërligjshme? Mund të jenë të shtyrë apo të nxitur? Detyrë vetëm e Prokurorit është ta zbulojë këtë. Por kjo ende nuk po ndodhë. Drejtësi paralele nuk mund të bëjmë.
Dhe kur flasim për prova, Prokurori duhet ta dijë që provë nuk është vetëm emri i përveçëm i personit të dyshuar por gjithçka tjetër që të qon tek e vërteta.
Po ta kisha emrin e kryesit apo kryerësve, nuk do të prisja ftesën e Prokurorit për t’u intervistuar. Ajo është puna e tij. Prandaj është prokuror. Unë punën e tij s’mund ta bëj. Vet ata shpesh më thonë që nuk je prokurore. Apo jo?
Ka vërtetë mjaftueshëm arsye për tu brengosur se përse përkundër një sërë veprimesh të dyshimta që kanë ndodhur që nga vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit, nuk janë zhvilluar ende hetime të mirëfillta. Në vijim po listoj disa:
– Deklaratat nga ish kryeprokurori Sylë Hoxha dhe ish-komandanti për rajonin Nexhmi Krasniqi që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje – a janë marrë në pyetje, S.H dhe N.K lidhur me atë se pse me shpejtësi kanë thënë që A.D është vetëvrarë.
Dy autoritete tentuan ta deformojnë drejtësinë, për ta pamundësuar zbulimin e krimit.
– Publikimi i video incizimeve (a ka pasur ndonjë hetim ose marrje në pyetje se kush I ka nxjerrë kamerat pa autorizim në Klan Kosova) – kjo është provë. Çfarë kanë bërë Prokuroria lidhur me këtë?
– Vdekja e dyshimtë e Naser Makollit në burgun e Lipjanit – (A ka pasur hetime se për çfarë është ankuar në kuptim shëndetësor Naser Makolli dhe për çfarë arsye ka ndërruar jetë?)
– Adonis Gashi, sa ishte në arrati, i njëjti deklaronte përmes rrjeteve sociale se e dinte çfarë ka ndodhur me Astritin dhe në rast se i jepej mundësia do të fliste, pas arrestimit të sërishëm të tij i njëjti është marrë në pyetje sërish por ka kushtëzuar dhënien e deklaratave me rastin për të cilën vuan dënimin. Informatat nga Adonis Gashi janë me peshë për procesin.
– Luz Allakaj, po ashtu shok i dhomës së Astritit, i janë hequr 3.5 vite nga dënimi (i dënuar për vrasjen e 13 vjeçarit). Siç po shihni të gjithë shokët e dhomës së Astritit ose s’janë gjallë, ose janë trajtuar sikur Luz Allakaj ose s’janë proceduar aq sa duhet.
– Në raportimin e fundit, Instituti zviceran thotë se trupi i Astritit është prova më e papërdorur në këtë rast (çfarë ka bërë Prokuroria lidhur me këtë?) A duhet të mbajë dikush përgjegjësi?
– Në raportin e parë të Institutit zviceran thuhet se kanë munguar mostrat e thonjve, prokurori është dashur ta trajtojë këtë çështje, në kuptimin që kush janë personat përgjegjës që kanë dërguar zarf kinse në të ka thonjtë por që nuk ka pasur! A është dashur të jap dikush përgjegjësi për këtë?
– Në raportin e parë përmendet që një fije floku ka qenë në bluzën e Astrit Deharit por që e njëjta asnjëherë nuk është trajtuar.
– Raporti i ekspertëve zviceranë nga Lozana ka konstatuar përfshirjen e personave të tretë, duke deklaruar se shkencërisht përjashtojnë hipotezën e vetëvrasjes.
– Ne raportin e fundit të Institutit thuhet se u janë dërguar mostra të papërdorshme, që janë dëmtuar për shkak të ambalazhimit joprofesional…nuk kemi informacione të ketë nisur hetim penal kundër askujt që e kanë bërë këtë. Ku janë marrë mostrat dhe kush mbanë përgjegjësi për dëmtimin e mostrave?
Të nderuara media,
Kur jemi dëshmitarë të kaq shumë anomalive dhe nuk shohim as veprimin minimal nga ana e këtij Prokurori që mbanë peng për më shumë se 5 vitesh rastin Dehari, patjetër që shtrojmë edhe pyetjet se përse nuk po zbardhet rasti i tij.
Pra në drejtësi, duhet dhënë llogari secili sipas përgjegjësisë.
Tani më lejoni vetëm të ju njoftoj, se sa i përket kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë, ne deri tani kemi ndërmarrë këto veprime:
1. Është kërkuar raport Inspektimi nga Inspektorati i MD-së rreth rastit të Astrit Deharit dhe gjetjet kryesore në raport janë si në vijim:
1.1 Kamerat e sigurisë janë marrë nga zyrtarët në kundërshtim me ligjin; Shtroj pyetje A janë marrë në pyetje zyrtarët? Kush I ka urdhëruar që te marrin kamerat? A ka qenë Ministrja e Drejtësisë? Nëse ka dyshime a është marrë ndonjëherë në pyetje e njëjta lidhur me rastin Dehari?
1.2 Kryeinspektori Ylber Topalli ka lëshuar dy raporte kontradiktore (ai mohon se ka një raport ku rastit Dehari i referohet si “Inspektim i zakonshëm në rastin e vetëvrasjes së të paraburgosurit A.D”) A është marrë në pyetje Ylber Topalli?
1.3 Shqiptimi i masave “transfer” nga QP Prizren në QP Lipjan për stafin korrektues ka qenë konflikt interesi pasi që në Lipjan ka qenë i transferuar edhe dëshmitari Naser Makolli; A e ka trajtuar këtë gjetje të Inspektoratit Prokurori?
2. Bazuar në Raportin e Inspektimit, Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar z. Burim Buleshkaj – U.D Drejtor i Departamentit për Operativë, Siguri dhe Transport, z. Destan Zogaj – U.D Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe z. Ylber Topalli – U.D Kryeinspektor.
Që nga viti 2019 kjo lëndë është nën përgjegjësinë e PSRK, dhe nuk është bërë asgjë, në zbardhje të së vërtetës. Veprimet e Prokurorit kanë qenë minimale, ndonëse mundësitë për të ndjekur gjurmët e krimit kanë qenë dhe ekzistojnë akoma.
Prokurori Shefkiu, përveçse që nuk e ka adresuar siç duhet këtë rast, për më shumë se 5 vite, me arrogancë po i përgjigjet të gjithë atyre që duan drejtësinë për Astritin.
Prokurori Shefkiu asnjëherë nuk ka marrë mundin që t’i përgjigjet thirrjeve të avokatit, për të informuar më shumë familjen e Astritit, lidhur me punën dhe hetimet që po bënë. Me arrogancë, reagoi edhe ndaj deklaratës sime së cilës i qëndroj dhe ri-përsëris sërish dhe le të më ftojë sërish për të dhënë dëshmi, do t’i përgjigjem njësoj sa herë të më ftojë.
Hetimet e mirëfillta janë domosdoshmëri. Prokurori i rastit duhet të kryejë hetimet në mënyrë të ndërgjegjshme, të përpiktë dhe nëse kjo kërkesë për të është e pamundur të realizohet, atëherë mos të bëhet personi që pengon drejtësi, le të kalojë kjo lëndë në duart e atyre që duan drejtësi.