Albulena Haxhiu ka folur edhe për shkarkimin e Rrahim Ramës dhe akuzës që ai i bëri asaj se ishte “seksere e Faton Dalladakut” në blerjen e tokave shumë vite më parë.
Haxhiu si ministre në detyrë e Drejtësisë, mori nismën për shkarkimin e Ramës nga posti i drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, pasi sipas saj u gjetën shkelje të mëdha në punën e tij. Vendimi tha ajo, u mor me rekomandim të Komisionit Disiplinor, që funksionon në kuadër të Qeverisë.
Por pak kohë më pas, Rama e akuzoi Haxhiun se vite më parë kishte kryer “rolin e sekseres” në kompaninë e biznesmenit Faton Dalladaku për blerjen e një toke në vlerë 300 mijë euro.
Ajo mohoi këtë dhe tha se thjeshtë ishte e punësuar në kompaninë e tij.
“Unë kam punuar në firmën ‘Design Factory’, bëhet fjalë para më shumë se 10 vjetëve. Kam punuar për pak muaj, ndërsa për ata që ka shpifur zoti Rama, kam qenë vetëm përfaqësuese ligjore. Unë e kam deponuar padinë për zotin Rama dhe me të do të ballafaqohem në gjykatë”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.
Ajo ngul këmbë se kur ka lëshuar punën te firma e Dalladakut, më nuk ka pasur asnjë kontakt me të.
Ministrja në detyrë po ashtu tha se shkarkimi i Rrahim Ramës ishte pasojë e skenimit që ajo dhe stafi morën përsipër t’i bëjnë Ministrisë së Drejtësisë me të shkuar aty.
“Në momentin kur kam shkuar në Ministri të Drejtësisë, kam pasur vendim të qartë për ta bërë një skenim të situatës dhe një prej gjendjeve më të mjerueshme ishte tek Agjencia për Adminstrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ku ka qenë drejtor zoti Rama.
Më thoshin në ministri se sa i rrezikshëm është ai, se është njeri i atij, i këtij, të gjithë kanë qenë në stres prej tij, duke iu thënë njoh policisë, njoh prokurorë. Por ne i kemi hy kësaj pune, s’kemi çka fshehim. I kemi bërë një skenim gjithë ministrisë, si punësimeve të zotit Ableard Tahiri (ish-ministër), konkursit për noterët, e kemi ditur se do të jemi cak, por nuk jemi ndalur. Për zotin Rama e kemi bërë një kërkesë në Komisionin Disiplinor dhe ai ka vlerësuar se i njëjti duhet të shkarkohet. Dhe kur është shkarkuar kanë nisur akuzat”, ka thënë ajo.
Haxhiu po ashtu ka shtuar se Rama, është zgjedhur drejtor në kundërshtim me ligjin.
“Edhe mënyra se zoti Rama është zgjedhur është në kundërshtim me ligjin. Në vitin 2010 e ka kryer fakultetin, kurse më 2011 është zgjedhur drejtor. Secila deklaratë e tij është shpifje”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka komentuar edhe akuzat e Ramës për “vizita ilegale” në depon e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar. Ajo ka thënë se si ministre e Drejtësisë ka të drejtë të shkojë në këtë depo pa e njoftuar askënd tjetër.
“Në depo kam qenë më 19 mars, aty ku mbahet pasuria e konfiskuar dhe sekuestruar. Ishte vizitë që të shihej gjendja e veturave të konfiskuara. Aty lindën veprimet tona që të marrim veprime disiplinore ndaj Ramës, për shkak të gjendjes së rëndë që ishin veturat. Aty ishte e pranishme edhe zonja Bala dhe shefi i kabinetit, Sallahu. Herën e dytë isha me zotin Sveçla dhe drejtorin e Policisë, sepse qëllimi ishte se nëse ka vetura të konfiskuara të mund të përdoren për nevojat e policisë pasi donin të mos bënin shpenzime. Agjencioni për Administrim të Pasurisë është nën vartësi të MD-së dhe kam plotësisht të drejtë të shkojë aty pa e njoftuar bash askënd. Ai më përgjigjet mua, jo unë atij. Ai ka keqpërdorur pozitën, por as s’e ka kuptuar çfarë pozite mban. Është interesante pikërisht zoti Rama, që më kanë dërguar fotografi njerëzit, ku ai shihet me Kadri Veselin në depo gjatë fushatës zgjedhore se si Kosova e paska konfiskuar pasurinë e si e ka menaxhuar”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut, menaxhimi i kësaj agjencie ka qenë tejet i dobët. Ajo ka thënë se veturat janë ruajtur në mënyrën më të keqe të mundshme.
Haxhiu po ashtu ka thënë se nuk ka pranuar të marrë veturën e ish-ministrit Abelard Tahiri për shkak se “nuk e di se ku ka mundur të shkojë zoti Tahiri, e po të dilte një fotografi do të thoshin ja ministrja Haxhiu”.
“Rasti konkret një portal më dërgon veturën që ka pas Abelard Tahiri, e më thotë çka kërkon vetura e ministres para tri shtëpive afër Gërmisë. U thash se s’është vetura ime. Po të ishte e imja merreni me mend skandalin që do të bëhej. Ose Tahiri ose Florian Dushi e kanë. Njëri e ka. Meqë nuk isha unë askush s’merrej me mua. Pse kam vendosur, s’kam ditur se çfarë veture po vozis, por edhe sepse vetura e Tahirit më është thënë se duhen më shumë se dy mijë euro për ta servisuar. E di se ka shpenzuar shumë derivate”, ka shtuar ajo.
Haxhiu ka thënë se edhe këshilltarja e saj Nazlie Bala ka deponuar padi ndaj Ramës për akuzat e tij.