Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova është në kaos sa i përket gjendjes me pandeminë Covid-19.
Ajo ka thënë se qytetarët në vend nuk janë në dijeni për vendimet e Qeverisë, duke shtuar se gjendja është e jashtëzakonshme.
Haxhiu në Interkativ të KTV-së ka thënë se nuk ka transparencë në vendimet e Qeverisë Hoti.
“Ne sot u ballafaquam me një pamje shumë të rëndë, ku një qytetarë kishte improvizuar një shtrat me karrige, dhe në anën tjetër ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu kishte blerë mobilie në kabinetin e tij, për sa kohë që Shëndetësia dhe qytetarët po përballen me kushte jashtëzakonisht të këqija”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka folur edhe për rezolutën e propozuar nga ta, me të cilën thotë se është paraparë ndihma ndaj pacientëve dhe familjarëve të të infektuarve.
“Ne si VV jemi të shqetësuar, ka pasur debat në Kuvend për këtë situatë, kemi propozuar një rezolutë që parashihte brenda saj projektligji për parandalimin e pandemisë, po ashtu që edhe shteti t’i ndihmojë pacientët e infektuar dhe po ashtu rekrutim të stafit shëndetësor por fatkeqësisht kjo rezolutë nuk u votua”, ka thënë ajo.