Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se “Hotel Grand Prishtina” mbetët në pronësi të Kosovës dhe qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja shkroi se Republika e Kosovës, sipas Vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin.
“E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë”, ka shkruar ajo.
Mes tjerash, Haxhiu ka shkruar se “pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt”.
“Për shkak të hajnisë 20 vjeçare nëpër institucione shtetërore, paguajmë pasoja ende. Por këto janë të fundit. Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj Grandi mbetet i Kosovës e i qytetarëve të saj”.
Grand Hotel ishte inauguruar më 25 prill të vitit 1978. Ai ka një sipërfaqe nga përafërsisht 32.000 m2. Hoteli është i pajisur me objekte tjera: restaurant, tavernë, kafe bar, bar i natës si dhe salla për konferenca.
Aktualisht, në hapësirat e Hotelit Grand operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediale, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, aparate bankare, hapësira reklamuese e të tjera.
Në vitet e 70-ta, Hoteli Grand njihej si një nga hotelet më të mëdha në ish-Jugosllavi.