Haxhiu bën thirrje për hetim të përgjimeve të Kusari-Lilës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë të nisin hetimet për përgjimet e publikuara ku është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke biseduar me ish-deputetin nga Lista Serbe, Sllavko Simiq.

Sipas Haxhiut, përgjimet e bisedave të Kusari-Lilës me Simiqin janë të prera dhe të montuara me tendencë, duke vlerësuar se publikimi i tyre përbën edhe vepër penale.

“Kusari-Lila e ka sqaruar edhe mbrëmë në tërësi tendencën për të shpërfaq një komunikim që ishte i prerë, i redaktuar, i montuar sipas tendencave të tyre. Duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb në Kuvend, por fatkeqësisht në mënyrën më të keqe të saj. Kusari-Lila e tha se është një incizim i paligjshëm. Institucionet e drejtësisë duhet të merren me këtë pasi përbën vepër penale. Është i paautorizuar, i prerë dhe të gjitha më radhë”, ka thënë ajo në konferencë për media të mërkurën.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë efekti i publikimit të atyre përgjimeve është zero, ndërsa ka vazhduar ta mbrojë Kusari-Lilën.

“Ato janë publikuar për një arsye, vetëm sepse efekti i tyre ka qenë zero. Lista Serbe nuk ka mundur ta shantazhojë shefen e GP-së të VV-së. Po të shkonin përpara kërkesat e Listës Serbe, po të koordinoheshin me Kusari-Lilën, ato [përgjimet] nuk do të publikoheshin. Prej kohësh kur u bë ky incizim, kemi një sërë veprimesh për shtrirje të sovranitetit. Kusari-Lila në asnjë rrethanë nuk i është bindur kërkesave të Listës Serbe. Kusari nuk ka bërë pazare, nuk shantazhohet, nuk mund të frikësohet nga askush”, ka shtuar Haxhiu.

E pyetur nëse duhet të shkarkohet Kusari-Lila nga pozicioni që mban në Lëvizjen Vetëvendosje, Haxhiu ka refuzuar të përgjigjet.

Haxhiu ka thënë se asnjëherë nuk i është kërkuar ndonjë gjë nga Kusari-Lila rreth Listës Serbe, ashtu siç përmendet në përgjime.

Që nga fillimi i javës, përgjimet e publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe Simiqi në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion. Opozita po akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend.