Pas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Nacionalja ka realizuar një intervistë me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, brenda dhomave të paraburgimit, ku ai flet për veten, familjen, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, për domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos qëndrojë në një gjendje të vazhdueshme krizas të njëpasnjëshme, si dhe për nevojën e përmbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë, në njohje të ndërsjellë.
Teksa kujton edhe takimin me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën, ai i gëzohet edhe librat që ky i fundit i solli. “Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë”.
Më pas, ish-Presidenti Thaçi duke komentuar në vija të trasha gjendjen e tanishme në vend, kërkon të hiqet dorë nga marrja për së tepërmi me të kaluarën, dhe “të mos rrezikohet apo humbet e ardhmja”.
“Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale”, na tha ish-Presidenti i vendit.