Hashim Rexhepi, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, deklaroi se arrestimi i 2010-s ia kishte shkatërruar karrierën, duke e çuar në prag të ekzistencës atë dhe familjen e tij.
Rexhepi tha në Konfront të KTV-së se familja varej nga bashkëshortja e tij që punonte në QKUK, ndërsa tha se detyrimet paraprake bankare duhej paguar me shitjen e trashëgimisë së familjes.
“Erdhëm në pozitë jashtëzakonisht të rëndë ekzistenciale. Jetonim nga të ardhurat e të shoqes e cila punonte në QKUK dhe s’mund t’ia dilnim. Kisha detyrime ndaj sistemit bankar pasi kisha marrë kredi se isha duke ndërtuar shtëpinë. 1.800 euro e kisha në muaj këstin, e u detyrova të shes gati gjithë trashëgiminë në fshat, pasurinë e babait që të mbijetojë. Të mos të lejojë veten, një guvernator të klasifikohet si moskthyes i kredisë. Kërkova prej bankave ku kisha detyrime të më bënin riprogramimin t’u përshtatem kushteve”, deklaroi ai.
Rexhepi tha se kishte tentuar të punësohej pas daljes si i pafajshëm nga burgu, por iu kishte pamundësuar për shkak të akuzave nga të tjerët.
“Kam provuar të punësohem por ishte një lloj aversioni ndaj meje. Më bënë kriminelin kryesor në Kosovë. Punën e parë që gjeta, kisha një mik, më pa, më tha eja pimë kafe. Më tha a pranon të takohesh nesër me dy miqtë e mi…Kishin një ide për formimin e një kompanie. E pranova me kënaqësi, kisha kusht ta merrja e djalin. Pranova dhe nisa punën…U angazhova në sektorin privat”, deklaroi Rexhepi, derisa shtoi se BQK-ja ia kishte refuzuar kthimin në punë, duke thënë se për këtë shkak është në procese gjyqësore.
“…Tash u pensionova por pres kompensimin e nevojshëm për demet që m’i kanë shkaktuar, humbjet nga kontrata që kam pasur me BQK-në”, tha ai.
Ish-guvernatori i BQK-së shtoi se do të ndihet keq nëse si kompensim për të do të caktohet një shumë simbolike, derisa tha se lënda në gjykatë është nga 2012-a.