Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se opozita është e gatshme të formojë qeverinë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Hasani tha se nëse partia e parë nuk arrin të sigurojë shumicën brenda 10 ditëve, atëherë opozita do të marrë përgjegjësinë për krijimin e qeverisë së re.
“Në momentin që të bëhet certifikimi ne shpresojmë ti bëjmë numrat dhe ta formojë qeverinë sa më shpejt që është e mundur. Ne kemi një vendim të Kushtetueses që i lejon edhe të dytin të bëjë qeverinë, nëse i pari nuk mund ta bëjë. Sepse kemi pas një bllokadë në vitet e mëhershëm dhe është kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, ajo e ka dhe ai vendim vlen çdo herë. Nëse ai brenda 10 ditëve nuk ka mundësi t’i plotësojë kriteret dhe numrat për ta bërë qeverinë, natyrisht duhet t’i jepet mundësia të dytit. Kështu që të dytit i kanë numrat si opozitë, 64 numra llogaritet që i ka opozita. Dhe kështu besoj që opozita do ta formoj qeverinë”, ka thënë Hasani.
Duke folur për raportet mes opozitës dhe partisë në pushtet, Hasani u shpreh skeptik për mundësinë e bashkëpunimit, duke përmendur si arsye retorikën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Partitë opozitare kanë një bashkëpunim. Duhet të gjejnë bashkëpunim në bazë të interesit të vendit. Ndërsa në raport me partinë në pushtet nuk besoj që do të ketë një harmoni dhe bashkëpunim, për shkak se deklarimet e Kurtit kanë qenë aq të rënda aq fyese, sa nuk lejojnë një mundësi bashkëpunimi. Ai i ka quajtur 60 për qind të qytetarëve i ka quajtur hajvana. Kështu që hajvanat nuk mund t’i shkojnë të ia bëjnë qeverinë. Te PDK-ja nuk do ta gjejë një njëri që do t’i bashkëngjitet atij”, ka thënë Hasani në FIVE të Dukagjinit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 396.022 vota, ose 42.27% të elektoratit, duke siguruar 48 ulëse në Kuvend. Megjithatë, ky rezultat e bën të vështirë formimin e qeverisë pa një koalicion.
PDK-ja, e cila ka dalë e dyta me 196.353 vota (20.96%), do të ketë 24 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 171.249 vota (18.28%) dhe do të ketë 20 mandate, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66.226 vota (7.07%) dhe do të përfaqësohet nga tetë deputetë.
Për herë të parë, Lista Serbe nuk ka siguruar 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb, duke u ndalur në nëntë mandate. Ndërkohë, një vend nga komuniteti serb është fituar nga partia e Nenad Rashiqit, i cili shërbeu si ministër në Qeverinë Kurti II.