Ndonëse në agjendën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ishte paraparë takim me liderin e AAK-së Ramush Haradinaj në orën 11.00, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
E arsyeja e mos takimit, ish kryeministri Haradinaj e ka treguar gjatë mbrëmjes se të hënës.
Padia të cilën kryeministri, Edi Rama, kishte bërë muaj më parë ndaj Haradinaj, u bë arsye e mos takimit të tyre.
“Është e pamundur me u takua i padituri me paditësin. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Nuk ndihem mirë që si i paditur të takohem me askënd e as me zotin Edi Rama”, ka thënë Haradinaj.
Kujtojmë që Rama kishte bërë padi ndaj Haradinajt për shpifje, në lidhje me deklaratën e këtij të fundit i cili kishte akuzuar kryeministrin shqiptar se kishte lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.