Kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, ka folur edhe për çështjen e taksës me Serbinë, të cilën kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se do ta zëvendësojë me reciprocitet.
Për këtë çështje, Haradinaj tha se Kurti po dëshiron t’ia kthej tregun Serbisë, duke shtuar se taksa duhet të hiqet vetëm nëse Serbia e njeh Kosovën.
“Qytetarët nuk e kanë votuar Kurtin e Osmanin që ta kthejnë Serbinë në Kosovë. Taksa e ka sjellë Kosovën në peshën që ka. Taksa duhet të hiqet në kontratë finale me njohje jo më herët. Sa më shumë që e kërkon Amerika dhe Evropa heqjen e taksës, kësaj teme i rritet vlera”, tha Haradinaj në një intervistë për Telegrafin
Haradinaj tha se duhet ta mbajmë taksën deri në njohje, dhe sipas tij kjo është logjika kështu të kupton Amerika.
“Është gabim me ofrua reciprocitet. Ky është Axhamillëk total i Kurtit si mungesë e analizës së thellë. Kurti në vend që me kërkua negocim të vazhdueshëm se përse mu heq taksa, ai ka thënë se do ta bëjë reciprocitetin”, shtoi Haradinaj.
Haradinaj tha se çështjet e Kosovës nuk janë vetëm të një qeverie apo partie, ato i takojnë të gjithëve.
I pari i AAK-së theksoi se do të punojnë për mos ta lejuar heqjen e taksës.
“Ne kemi me punu që mos me leju heqjen e taksës, çdo gjë që na lejon demokracia dhe kushtetua do ta bëjmë”, tha Haradinaj.
Ish-kryeministri foli edhe për dialogun, ku bëri të ditur se në vitin 2017, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogeherini ia kishte ndërprerë konferencën e përbashkët për media shkaku që ai kishte kërkuar përfshirjen e Amerikës në dialogun me Serbinë.
“I shoh krejt mundësitë reale që marrëveshja me ndodh këtë vit, vetëm nëse dimë me ofertu. Hashimi e ka nënshkruar deklaratën e pavarësisë, Albini të hyn në histori si nënshkrues i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, tha Haradinaj.