Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj-Stublla, ka përgënjestruar ministrin në detyrë të MPJD-së, Besnik Tahirin, se shkaku i pandemisë nuk ka qenë e mundur pjesëmarrja në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Është gënjeshtër e pastër deklarata e dhënë sot nga salla e konferencave në MPJD se kinse për shkak të pandemisë nuk paska qenë e mundur pjesëmarrja në inaugurim. E vërteta është që nuk kanë pasur guxim e as vizion për ta formalizuar këtë akt historik, e as për të punuar jashtë konturave personale/politike për interes afatgjatë shtetëror”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook.
Tahiri në konferencë kishte thënë se ishte paraparë që Haradinaj-Stublla të ishte në Izrael më 15 mars, por ndryshuan rrethanat pas dorëheqjes që dha ajo nga posti e po ashtu edhe nga AAK-ja pas pretendimeve ndaj saj se ka manipuluar me vota.