Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Vjosa Osmani u zgjodh presidente e vendit me vota të kontrabanduara.
Ai tha se partia e tij qëndron faqebardhë në ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe demokracisë së Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Sot pas zgjedhjes së znj. Osmani-Sadriu për Presidente të Kosovës, Aleanca qëndron faqebardhë në ruajtjen e sistemit kushtetues së demokracisë republikane. Votat e kontrabanduara në këtë proces tregojnë se Vetëvendosje dhe Guxo nuk guxojnë. Sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Aleanca do të jetë zë i ndërgjegjjes së popullit, shtyllë kushtetuese dhe mbrojtës i ekonomisë së tregut të lirë”.
Haradinaj përmendi edhe deputetet që dolën kundër vendimeve të partive të tyre dhe shkuan në seancë, përfshirë edhe deputeten e partisë së tij, Albena Reshitaj.
“Urime deputetëve që morën pjesë duke i përfshirë edhe ata të pazarit të natës që lanë parimet për përfitime të atypëratyshme. Lufta për demokraci fillon sonte. Ftoj politikanët dhe qytetarët e vullnetit të mirë të mbrojmë së bashku vlerat e Kushtetutës dhe shtetit të lindur nga gjaku i lirisë!”.