Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se tashmë është vërtetuar se Albin Kurti është mashtrues dhe se Qeveria e tij nuk do të zgjasë shumë.
Ai në “Debat Plus” tha se premtimet e Kurtit për dialogun, reciprocitetin e shumë çështje tjera kanë dalë të jenë mashtrim.
“Populli i Kosovës do ta ketë të vështirë të qeveriset nga një qeveri e tillë. Kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë”, u shpreh ai.
Haradinaj thotë se me ardhjen në qeveri të Albin Kurtit Kosova ka pasur rritje të madhe të importeve nga Serbia, që, sipas tij, dikur ai i kishte kundërshtuar.
“Kurti ka premtuar se do ta rivendosë reciprocitetin, por e vërteta është se u rrit importi i mallrave nga Serbia”, tha ai.
Haradinaj gjithashtu theksoi se ekonomia e Serbisë asnjëherë më parë nuk ka pasur kryeministër më të mirë se Kurti në Kosovë.
“Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë”, shtoi Haradinaj.
Tutje, Haradinaj u shpreh se Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet.