Kryeministri Albin Kurti, këtë të diel ka zhvilluar takim për situatën në veri me liderët opozitarë.
Në takim ishin kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, por në takimin që ishte thirrë mbrëmë mungoi lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kurtit, por se në ora 09:00 ishte në zyrën e tij dhe se ai nuk ishe aty.
“I jam përgjigjur kërkesës për takim me Kryeministrin në orën 9 dhe unë në këtë orë isha në zyrën e tij, por ai nuk ishte aty! Takimi do të duhej të ishte informativ për situatën e sigurisë në veri”.
Haradinaj thotë se qëndrimi i tij për situatën në veri është i qartë dhe nuk ndryshon.
“Qëndrimi im për situatën në veri është i qartë dhe ai nuk ndryshon kurrë, pavarësisht nëse vjen kryeministri në takim apo jo! Kosova duhet të mbrohet edhe me jetë. Gjithmonë me mbrojtësit e Kosovës! Unë kam qenë dhe jam në Kosovë dhe për Kosovën në çdo kohë dhe situatë. Koordinimi me aleatët tanë duhet të jetë i përhershëm”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.