Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur para mediave pas takimit që ka pasur me kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe atë të Nismës, Fatmir Limaj.
Haradinaj nga gazetarët është pyetur se është arritur pajtueshmëria që ai të jetë kandidat për president, shkruan lajmi.net.
Haradinaj është përgjigjur duke thënë se s’mund të thotë asgjë në këtë drejtim dhe se për gjetjen e një zgjidhjeje do të punohet me partnerët e koalicionit.
“Nuk e kam përgjigjen në këtë temë, në të ardhmen do të vazhdojmë bashkë që të vijojnë këto procese”, tha ai.
Kreu i AAK-së u pyet edhe se a do të dalë nga koalicioni AAK-ja nëse nuk merr postin e presidentit.
“Nuk jemi në këtë linjë. Jemi në punë, me përkrah veten, vendin në këto situata. Besoj që do ta gjejmë zgjidhjen së bashku”, u përgjigj ai.
Haradinaj foli pak edhe për aktakuzat e Speciales ndaj Thaçit e Veselit, për të cilat tha se shpreson se nuk do të konfirmohen.
Ai tha se Kosova nuk do ta pengojë asnjëherë drejtësinë dhe se beson tek lufta e pastër e UÇK-së.
“Kosova çdoherë ka qenë me drejtësinë dhe ligjin. Drejtësia e ka vlerësuar luftën e drejtë të UÇK-së, dhe besojmë edhe në këtë rast. Shpresojmë që nuk do të ketë konfirmim të propozim-aktakuzave. Kosova beson edhe në vete që t’i përkrahë shtetasit e vet, jo kundër ligjit, por pro ligjit”, tha ai.