Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, është shprehur se ky i fundit duhet të kërkojë zyrtarisht që procesi i dialogut të kalojë te presidenti i ShBA-ve, Joe Biden.
Ai ka thënë se secili që udhëheq me dialogun duhet t’i mos i harrojë tri parime e që janë: integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetutshmëria e Kosovës.
“Ia kam tërhequr vërejtjen e Kurtit për strategjinë e Serbisë që të shkohet me marrëveshje një nga një dhe rrezikut që nëse Serbia arrin ndonjë sukses me marrëveshjen e Asociacionit, ajo do të çohet nga tavolina dhe të mos e vazhdojë më dialogun. Ngjashëm ka vepruar edhe në konferencën e Rambujesë”, ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së ka shtuar se BE-ja ka kryer një punë të rëndësishme në procesin e dialogut, por se tashmë ajo nuk është më neutrale shkaku i luftës me Rusinë.
“Unë besoj shumë që është me rëndësi dhe ia thash kryeministrit Kurti që BE-ja ka kryer një punë të rëndësishme në dialog, por rrethanat kanë ndryshuar dhe BE nuk është më neutrale tashmë sikurse e gjithë bota është në luftë me Rusinë. Mendoj që është koha që edhe Kurti zyrtarisht të kërkoj që çështjen e dialogut ta kaloj te presidenti Biden sepse në këtë formë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes por edhe garanca në implementim”, tha Haradinaj.