Haradinaj kritikon qëndrimin e LDK-së: Pozicion bllokues, pamundëson krijimin e qeverisë së opozitës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj formimit të një qeverie të re, duke e cilësuar atë si bllokues.

I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. Kurse, partive të tjera (PDK-dhe AAK-së) Abidxhiku iu ka vendosur kushte.

“Nuk duam dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta (VV-në)… LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit”, kishte thënë Abidxhiku.

Duke komentuar këtë qëndrim, Haradinaj në Debat Plus e ka konsideruar si pengesë për formimin e një qeverie opozitare.

“Aktualisht pozicioni i LDK-së është bllokues. Nuk e mundëson krijimin e qeverisë së opozitës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka përmendur se qeveria në largim dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, nuk po nxitojnë të formojnë qeverinë e re, pavarësisht se dolën partia e parë në zgjedhje.

“Hetohet që askush nuk e ka entuziazmin e duhur për të krijuar qeverinë. Së pari hetohet që qeveria në shkuarje, kryeministri në shkuarje, ai që humbi besimin ose shumicën që kishte nuk po nxitohet fare. Përkundër po hetohet një strategji e vonesave e zhagitjes së procesit, e kemi parë me këto ankesat (në PZAP e Supreme). Të gjitha këto janë dëshira e tij me mbetë si ushtrues detyre në qeveri”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.