Për dy vjetorin e formimit të Ushtrisë së Kosovës, ka shkruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Ushtria e Kosovës është plotësisht e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të vendit.
“Sot, kur shënojmë dy vjetorin e miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe atij për Shërbim në FSK, mund të themi se Ushtria e Kosovës është plotësisht e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të vendit tonë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai thotë edhe se 14 dhjetori i 2018-ës ishte ditë historike për Kosovë, ndërsa thekson se vendimi për formimin e ushtrisë nuk ishte aspak i lehtë.
Dy vite më parë Kuvendi i Kosovës me 106 vota pro dhe një abestim miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.