Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ky subjekt është jashtëzakonisht i shqetësuar me gjendjen aktuale në Kosovë.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se zhvillimet politike ekonomike sociale në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin se sa sot.
Sipas tij, çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve e shembulli më eklatant i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë mësimdhënësve duke mos u dhënë pagat.
Ai ka thënë se kjo situatë kërkon zgjidhje urgjente.
“Aleanca është e shqetësuar me këtë gjendje të pashpresë e cila kërkon zgjidhje urgjente. Në këtë frymë sot kishim një diskutim pune për dështimet e kësaj qeverie, dhe për zgjidhjet e duhura që të përfshihen në planin qeverisës të Aleancës, të cilin do ta diskutojmë nesër në Kryesinë e partisë”, theksoi Haradinaj.