Haradinaj: Kosova dhe Serbia të mos e tolerojnë krimin ndërkufitar

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar së bashku me shtetet e NATO-s, intervenuan për të ndalur gjenocidin në Kosovë më 1999.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se që nga kjo kohë këto shtete po ashtu, janë përkushtuar për një rajon të qetë dhe të sigurt, duke theksuar se luftimi i krimit të organizuar është obligim i dy qeverive si asaj të Kosovës ashtu edhe të Serbisë.

Ky reagim i Haradinajt vjen pas sulmeve të fundit që ndodhën ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Postimi i plotë:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe të gjitha shtetet e NATO-s, intervenuan me 1999 në Kosovë për të ndalur gjenocidin. Që prej atëherë, këto shtete po ashtu, janë përkushtuar për një rajon të qetë dhe të sigurt.

Rendi dhe ligji është në interes të secilit qytetar, ashtu edhe të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, krimi i organizuar nuk ka përkatësi as politike e as etnike dhe na rrezikon të gjithëve. Është në interes dhe obligim i të dy qeverive, të Kosovës dhe të Serbisë, që të luftojnë krimin e organizuar ndërkufitar. Aktet e tilla nuk duhet të tolerohen.