Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të shprehë pakënaqësi ndaj kryeministrit Avdullah Hoti në raport me dialogun që po zhvillohet në Bruksel.
Haradinaj ka thënë se Hoti ka ulur nivelin e bisedimeve duke dërguar koordinator për të përfaqësuar Kosovën.
“Po i tregoj këtij kryeministri dhe kolegëve të mi në LDK që me apo pa vetëdije jeni futur në një klishe ku dialogun e keni ulur më poshtë se në kohën e Thaçit e Mogherinit. Dialogu ka qenë në nivelin e vendimmarrësve të Presidentit Trump, Presidentit Macron e Kancelares Merkel”, ka thënë Haradinaj në RTV21.
I pari i AAK-së ka këshilluar Hotin të bëjë disa hapa mbrapa në raport me dialogun.
“Bëni disa hapa mbrapa. Mos lejoni që t’iu thojnë ky është dialogu. Ky nuk është dialogu. Dialogu është kur ulen në tryezë Kryeministri Hoti Presidenti Macron, Kancelarja Merkel por edhe Presidenti Trump apo i dërguari i tij për këtë temë. Nuk kemi nevojë për një dialog ku njerëzit tonë enden poshtë e lartë”.
Haradinaj thotë se AAK nuk e ka synim ta drejtojë dialogun por nuk do të bëhet pjesë në këto rrethana.
“Ne e pranojmë se dialogu i takon Kryeministrit, por Aleanca nuk pranon të bëhet bashkëpjesëmarrëse në devijimin e dialogut nga vendimmarrësit politike te Lajçaku e Skënder Hyseni. LDK po e aprovon këtë. Unë e kam problem këtë dhe nuk qëndrojë prapa saj. Pasojat politike rreth kësaj teme nuk i pranojë. Pasojat e këtij dialogu teknik le t’i bartin ata”, ka deklaruar ndër të tjera Ramush Haradinaj.