Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria duhet t’i publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik që nga 1 tetori i viti të kaluar.
Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se është e pakuptueshme mjegulla që Qeveria ka krijuar në raport me energjinë elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj.
“Qeveria duhet të publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik që nga 1 tetori 2021. Me këtë nuk nënkuptojmë vetëm ndarjet buxhetore, por tërë energjinë që është blerë nga KESCO/KOSTT (vlera e devijimeve) apo çfarëdo mekanizmi që ka blerë rrymë për Kosovë, si dhe të gjitha kontratat që janë bërë për kthime. Po ashtu është me rëndësi të posaçme të publikohen emrat e kompanive nga të cilat është blerë rryma dhe metodologjia e kontraktimeve. E pakuptueshme mjegulla që kjo qeveri po krijon në raport me rrymën elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj. E qartë që me bojlerët, filterat dhe lopatat le të merren ata që duan, por qytetarit të Kosovës kjo nuk i intereson. Duam llogaridhënie për paranë publike”, ka shkruar Haradinaj.