Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka ftuar për sot në takim kryetarët e partive parlamentare, për të dalë nga situata që e dobëson pozicionin e Kosovës në rast të heqjes së taksës.
“Për të dalë nga situata që e dobëson pozicionin e Kosovës, nesër në ora 14:00, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, kam ftuar takimin e kryetarëve të partive parlamentare. Uroj që të mos refuzohet bashkimi e përpjekja për unitet, në këtë moment vendimtar për vendin”, shkruan Haradinaj një ditë më parë në Facebook.
Ai ka shprehur qëndrimin e AAK-së kundër heqjes së taksës deri në momentin kur Serbia ta njohë Kosovën shtet të pavarur.
“Ne kemi para nesh mundësinë e unifikimit të qëndrimeve në dy tema: Ecjen përpara me Amerikën apo pritjen për Evropën dhe taksën, për të cilën disa kërkojnë suspendim, disa heqje pa kushte, disa reciprocitet para apo pas heqjes”, tha Haradinaj.