Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur edhe një herë për raportin e tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili në vizitën e fundit në Kosovë ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga padia kundër Haradinajt.
Haradinaj ka thënë se për të nuk është gjë e madhe as ngritja e padisë, as heqja e saj.Por ka thënë se ky veprim i hapë rrugën komunikimit mes tij e Ramës.
“Heqja e padisë për mua nuk është ndonjë vlerë. Si të ishte si të mos ishte, për mua njëjtë është. Por ky veprim ma hapë rrugën për komunikim. I padituri me paditësin nuk mund të komunikojnë”, tha ai në Pressing.
Haradinaj ka folur edhe për rrethanat që tensionuan marrëdhëniet e tij me Ramën.
“Ndarjes së Kosovës nuk kam pas çare pa i dalë kundër. Në çfarëdo forme, edhe me rrezikun e jetës time e familjes time. Kjo duhet me u kuptu. Nëse ndahet Kosova, unë më nuk jam në Prishtinë, por aty ku është rreziku. Ndarjen s’mund ta lejoj. Unë jam kujdes, kam qenë i kujdesshëm, por s’kam bërë asgjë kundër dikujt me inati”, tha ai.