Kandidati i AAK-së për president, Ramush Haradinaj, në një tubim në Suharekë, ka folur për të ardhmen e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe bisedimet me Serbinë.
Për dialogun me Serbinë, Haradinaj tha se me doemos duhet të përfundojë pa bërë kompromis në integritet dhe sovranitet të vendit, njofton Klan Kosova.
“Ne s’kemi çka me humbë më shumë sesa që kemi humbë në luftën e fundit, ne tani do të fitojmë. Pra nuk do të dorëzohemi, nuk do të bëjmë lëshime, nuk do të bëjmë kompromise. Do ta ruajmë Kosovën e 17 shkurtit me territor, me kufi, me atë që është”.
Sipas tij, Kosova është e interesuar për të jetuar në paqe me Serbinë e rajonin, por duke e respektuar e mbrojtër atë që është e vetja.
“Dëshirojmë të jetojmë në paqe me Serbinë, dëshirojmë të jetojmë në paqe në rajonin tonë, por kuptohet duke u respektuar dhe duke e mbrojtur tonën”.
“Ne duam t’i japim fund konfliktit, asaj që ka mbetur e pambyllur me Serbinë. Por, gjithashtu dëshirojmë edhe me i dhënë një afat kohor të caktuar, pra nuk mundemi të presim pa kufi”.