Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur akuza ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për largimin e kriminelëve të luftës nga skena politike dhe institucionet.
Sipas Haradinajt, mos-precizimi i saktë i asaj se kush është kriminel i luftës, është akt tradhtie.
“Është diçka e pakuptueshme. Si kryeministër i vendit duhet ta precizosh saktë se kush është kriminel i luftës. Një gjest i tillë nga një kryeministër, që thotë se vendet e Ballkanit kanë në krye kriminelë të luftës, është akt tradhtie”, tha ndër të tjera ai në “Blic Interview”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të martën pas darkës me liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, se “Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse i përmbahen tri vlerave të demokratizimit, të luftohen autokracitë në Ballkan, të luftohen oligarkitë dhe të eliminohen nga skena politike dhe institucionet kriminelët e luftës dhe të paqes. Edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”.