Kryetari i AAK’së në deklarimin e pasurisë në Agjensinë Kundër Korrupsion të vitit 2019 ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që I bie 3 euro e 75 cent arin, raporton Gazeta Express.
Haradinaj deklarimin e pasurisë e ka bërë në kohën sa ishte kryeministër i Kosovës, ndërkaq për tokën e blerë me privatizim e ka deklaruar në pronësi të përbashkët.
Në pasuritë tjera të paluajtshme të kreut të AAK’së figurojnë edhe tokë-truall 21.50 ari, shtëpi banimi 950 metra katrorë, shtëpi familjare 800 metra katrorë, si dhe banesë 213 metra katrorë.
Haradinaj kishte thënë në mars të vitit 2016 se tokën prej 200 hektarësh e kishin riblerë.
“E kemi riblerë tokën tonë. Toka e riblerë në procesin e privatizimit, është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit.Sigurisht se i vetmi epilog për një pronë të marrur, mund tëjetë rikthimi i saj, anise duke e blerë për të dytën herë.Ndërkaq nxjerrjen e këtyre informacioneve të sajuara ose gjysmë të vërteta, e konsiderojmë si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e zi, presion për ta lejuar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, që për interesin e tyre dhe nën firmën e Asociacionit ta krijojnë edhe një komunë me shumicë serbe në Prilluzhë, në mënyrë që Serbinë t’na e bëjë hisedar në basenin e qymyrit, apo edhe koncesione të tjera në dëm të Kosovës.Por të gjitha këto përpjekje janë të mjera përballë vetëdijes qytetare, se populli i Kosovës është sovrani dhe ai, e jo individët, vendosë për pronat dhe për shtetin e Kosovës”, kishte shkruar Haradinaj.
Ndryshe Blerim Rexha gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka thënë se pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit (AKP).
Rexha që ka qenë kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka thënë se arsyeja e dorëheqjes nga kjo pozitë sipas tij ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët.
“Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, tha Rexha.