Çështja e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë ka nxitur debat të gjerë në Kosovë, duke përfshirë komente nga analistë të ndryshëm politikë. Ka prej tyre që mendojnë se kjo është një zbatim i marrëveshjes së vitit 2016 mes Kosovës dhe Serbisë derisa të tjerë mendojnë se Kurti po e përdorë politikisht situatën.
Analisti politik Ylli Hoxha, ka thënë se hapja e Urës së Ibrit, nuk është kundër BE-së dhe asnjë aleati tjetër ndërkombëtar të Kosovës.
Ai në “Debat Plus”, tha se Kosova dhe Serbia kishin marrëveshje për hapjen e urës në vitin 2016 ku vetë BE kishte ndërmjetësuar.
“S’bëhet fjalë për hapje të urës si akt i pavarur kundër bashkësisë ndërkombëtare, por është akt i zbatimit të marrëveshjes së vitit 2016 me Kosovë – Serbi me ndërmjetësim të BE-së. S’bëhet fjalë kundër bashkësisë ndërkombëtare por është akt zbatimi për zbatimin e një marrëveshje që e ka konsideru të domodsohsme BE.”, tha ai.
Tutje ai tha se Kosovës i ka dalur problem shumë më i madh se që e ka parashikuar në fillim.
“Problemi është më i madh se që e kemi parashikuar, apeli për të drejtën, sanimin e padrejtësive është më pakt i efektshëm se investimi i Serbisë në interesat që mund t’i kenë palët e caktuara”, tha ai.
Mirëpo panelisti, Imer Mushkolaj, ka thënë se çështja e hapjes së Urës së Ibrit, po përdoret për çështje elektorale nga kryeministri Albin Kurti.
Mushkolaj në “Debat Plus”, tha se ura nuk do të hapet, të paktën jo në këtë verë.
“Nuk hapet ura, nuk do të hapet. Por Kurti do ta përdor për zgjedhje. S’besoj që do hapet të paktën jo shpejt siç ka thënë LVV. Kurti ka thënë se ura do hapet gjatë verës, do presim ne jemi këtu nëse hapet 27 shtator. Brenda verës nuk do hapet”, tha ai.
Analisti thotë se Kurti është në qeverisje prej 4 vitesh dhe sipas tij është një pyetje pse kjo hapje nuk u bë para një apo dy vitesh e po bëhet tani.
“Ura është e mbyllur që nga paslufta. Pse ai po kërkon bash tash ta hapë urën e jo para një apo dy vitesh. Tregimi për urën vjen e ringjallet në prag të fushatës zgjedhore, kjo nuk është e rastësishme. Askush nuk është kundër hapjes së urës, as aleatët, por ata po kërkojnë që kjo të mos bëhet në këtë kohë për shkaqe sigurie”.
Mushkolaj thotë tutje se hapja e Urës së Ibrit është pjesë e dialogut.
Edhe Dardan Gashi ka thënë se kryeministri Albin Kurti po e përdor për zgjedhje çështjen e urës së Ibrit.
Ai tha se gjuha e ShBA-së, s’ka qenë asnjëherë më e ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Është një prej pikave që e ka rujt ka fundit, nëse I funksionon me paraqit sukses, nëse jo ta sulmoj BE-në dhe Amerikën… Gjuha që e kanë përdor ShBA ndaj Qeverisë s’ka qenë asnjëherë më e ashpër, është fol për manipulim të policisë, rrezikim të trupave amerikanë. Gjuhë më të ashpër e rrezikshme që ka ndodh nga aleatët tanë s’ka pasur asnjëherë”, tha ai.
Derisa panelisti tjetër, Lirim Mehmetaj, ka thënë se Serbisë nuk do t’i pengonte hapja potenciale e Urës së Ibrit.
“Serbisë nuk i pengon hapja e urës, Vuciqit i konvenon Albin Kurti në qeveri në Kosovë. Kurtit për të qenë në qeveri i konvenon hapja e urës, këtu ka interesa të përbashkëta. Kjo situatë është qëndrim i ndërkombëtare për me përcaktu dhe bind ky se a është themelimi i asociacionit çështja edhe merre edhe këtë dhuratë”, tha ai.