Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxxhaj ka thënë se një qeveri në shkuarje dhe një qeveri në ardhje “nuk patën guxim, as vendosmëri dhe përvojë për të shënuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael siç ka thënë ai “duke i lënë një shije të hidhur të gjithë procesit të njohjes ndërmjet dy vendeve tona”.
Ai në Facebook shkruan se për disa javë, autoritetet e larta të shtetit të Izraelit kanë pritur zyrtarisht koalicionin qeverisës dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve për ta hapur ambasadën në Jerusalem, por askush nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
“ Asnjëri nga zyrtarët e këtyre dy koalicioneve, nuk është përgjigjur në letrat dhe thirrjet telefonike lidhur me këtë proces. Përkundrazi, të frikësuar, në panik dhe të papërgjegjshëm i kanë ikur pjesëmarrjes për një njohje shumë të rëndësishme të Kosovës. Kanë braktisur rolin e tyre kushtetues dhe politik që u takon për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shtetit tone”.
“Dykuptimësia e dobëson Kosovën kurse qartësia strategjike e rrit kredibilitetin e saj ndërkombëtar. Duke besuar se të tilla situata nuk do të përsëriten në të ardhmen, falendëroj SHBA-të dhe Izraelin për njohjen dhe fillimin e një kapitulli të ri ndërmjet shteteve, popujve dhe ekonomive tona”, shkruan ai.