Ministria e Ekonomisë (ME), në kuadër të pakos emergjente për energji ka lansuar thirrjen publike “Mbështetje konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje”.
Të gjithë ata qytetarë të cilët blejnë klimë efiçiente, kalda me biomasë, pompë termike si dhe stufë individuale me biomasë do të subvencionohen nga fondet që janë siguruar nga Bashkimi Evropian
Për kalda me biomasë vlera e subvencionit do të jetë 70%, apo deri në 1,200 euro, për klimë do të jetë 40% e vlerës apo deri në 400 euro, për pompë termike deri në 2 mijë euro ndërsa për stufë individuale me biomasë deri në 435 euro.
Kryeministri i Kosovës tha se përmes këtyre masave, do të ulet shpenzimi i energjisë, raporton RTK.
“Teksa temperaturat kanë filluar të ulen, qytetarët do të kenë mundësi që shtëpitë e tyre t’i mbajnë të ngrohta. Ne tashmë kemi përkrahur rreth 40 mijë familje. Për këto familje kjo verë ka qenë më e freskët e dimri do të jetë më i ngrohtë”, tha ai.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se i gjithë procesi do të jetë transparent.
“Po hapim edhe një raund të masave. Është hera e 13 që po marrim masa të tilla. Me të gjitha këto masa ne kemi arritur investime rekorde në efiçiencë të energjisë”, shtoi ajo.
Qytetarët do të duhet të aplikojnë në platformën E-Kosova për subvencionim.
Ministria e Ekonomisë hapë thirrjen për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për familje
Ministria e Ekonomisë sot ka hapur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa të financuara nga Bashkimi Evropian në Kosovë (BE).
Masat e prezantuara sot, synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të cilat përfshijnë:
•Pompë termike,
•Kondicioner/ klimë efiçiente,
•Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), dhe
•Stufa individuale me biomasë.
Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është tridhjetë përqind (30%) e vlerës investive, apo deri në 2,000.00 €.
Kondicioner/ klimë, vlera e subvencionimit për një pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive, apo deri në 400.00 €. Për prindërit vetushqyes dhe qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria 1 dhe 2) subvencionohet gjashtëdhjetë përqind (60%) e vlerës investive dhe deri në 550.00 €.
Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 1200.00 €.
Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 435.00 €. Për prindërit vetushqyes dhe qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria 1 dhe 2) subvencionohet nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive, apo deri në 560.00 €.
Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes, nuk do të subvencionohen.
Qytetarët që kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente, të njërës nga thirrjet publike: thirrjes publike Nr. 02/2022, më datë 06.10.2022; thirrjes publike Nr.03/2022, më datë 18.11.2022, ose; thirrjes publike Nr.03/2023, më datë 22.09.2023, nuk kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të thirrjes publike Nr. 05/2024.
Afati për aplikim është tridhjetë (30) ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 11 tetor të vitit 2024, ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI, andaj inkurajoheni të aplikoni sa më herët.
Aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://ekosova.rks-gov.net/472
Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/…/Thirrje-publike-Investimi-ne…
Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën: info.subvencionet@rks-gov.net
Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.