Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen solemne të Panarit të produkteve vendore Expo-Sharri në Komunën e Dragashit.
“Gëzohem shumë kur takoj ndërmarrës dhe shoh kompani vendore të orientuara kah prodhimi sepse nuk ka interes më të madh për vendin tonë se sa rritja e prodhimtarisë së kompanive tona, zgjerimi i kapaciteteve të tyre dhe depërtimi në tregje të tjera e ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.
Kryeministri përmendi ndihmën që qeveria u ka ofruar bizneseve, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, mbështetjen prej 70 milionë euro për bujqit dhe fermerët, subvencionimit të kulturave të shumta bujqësore, me theks te gruri dhe mjetet me vlerë prej 3.8 milionë euro për zhvillimin dhe promovimin e Turizmit Rural dhe të Agro-Turizmit.
“Rritjen ekonomike prej 10.7% që shënuam vitin që lamë pas dhe rritjen e të hyrave buxhetore për 1/3 më shumë se vitin e kaluar, po rishpërndajmë përmes masave të ndryshme te qytetarët për mirëqenie, te bizneset për zgjerim, te fermerët për prodhim. Sepse të mirat shumohen atëherë kur ndahen”, tha ai.
Në këtë panair i cili po mbahet për herë të parë, pas prerjes së shiritit në mënyrë solemne nga kryeministri Kurti u vizituan edhe prodhimet vendore të ekspozuara nga kjo zonë në këtë panair i cili do të jetë tradicional.