Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë sot në ceremoninë e funksionalizimit të Tregut një ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri.
Në fjalën e tij, Kurti tha se inaugurimi i ALPEX-it shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin e vendit tonë për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, teksa theksoi se ALPEX shërben si një mjet jetik për zhvillim, duke nxitur konkurrencën e drejtë, duke vendosur sinjale të besueshme të çmimeve dhe duke nxitur investimet në kapacitetet e reja të energjisë së ripërtëritshme.
Ai tha se përveç se si sfidë, përballja me krizë energjetike viteve të fundit ka mundësuar edhe thellimin e bashkëpunimeve ndër-kufitare. Kryeministri Kurti kujtoi se qytetarët e bizneset e Shqipërisë verën e kanë kaluar me energji të bollshme falë energjisë së deponuar nga Kosova, ndërkaq qytetarët e bizneset e Kosovës dimrin e kanë kaluar më ngrohtë, falë energjisë së marrë nga Shqipëria.
“Tash, shkëmbime të tilla bëhen përmes bursës tonë të përbashkët. Sikur Kosova të mbetej ende treg i izoluar i energjisë, do të kishim tregtuar 9,134 megavatë orë energji gjatë muajit shkurt, ndërsa me bashkimin e tregjeve me Shqipërinë, që njihet si ‘Market Coupling’, kjo shifër arrin në 28,106 megavatë orë, pra më shumë se trefish. Ndërkaq, sot janë tregtuar 3,282 megavatë orë në coupling. Pra, Kosova sot ka thyer rekordin për sasinë e tregtuar”, deklaroi kryeministri Kurti.
Sa i përket sektorit të energjisë, ai tha se Qeveria e Kosovës fokusohet në sigurinë e furnizimit dhe përballueshmëri financiare për qytetarët dhe bizneset e vendit. Kësisoj, Kurti tha se përmes bashkëpunimeve me Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë synohet të hapim ekonominë duke ndihmuar bizneset të bëhen më efikase dhe kost-efektive, të optimizojmë integrimin teknologjik dhe të krijojmë një mjedis për tërheqjen e investimeve.
“Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Bashkë për bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik, sinergji e transparencë dhe mjedis të fuqishëm të investimeve të sektorit privat”, u shpreh ndër të tjerash kryeministri Kurti, sepse sinergjia në energji është fuqi që na duhet dhe e duam, tha ai.
Ndërkaq, ministrja Rizvanolli theksoi se sot po shënojnë këtë ditë historike për sektorin e energjisë, për funksionimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, në Republikën e Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Siç u shpreh ministrja, rëndësia e kësaj burse dhe funksionimi i përbashkët i tregjeve tona të energjisë elektrike është vështirë të përshkruhet sepse është shumëdimensional dhe ndikimet e tij nuk i shohim vetëm sot, por ndikimet më të mëdha do t’i shohim përgjatë viteve që po vijnë.
Në përmbyllje të kësaj ngjarje, kryeministri Kurti falënderoi partnerët nga Shqipëria, përfshirë Operatorin e Sistemit të Transmetimit, Entin Rregullator të Energjisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës, si dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për mbështetjen e tyre, derisa bëri thirrje të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues.